Sport

FIFA: Inteligjenca artificiale lufton urrejtjen në mediat sociale


Inteligjenca artificiale për të luftuar urrejtjen në rrjet.

Për Ditën Botërore kundër gjuhës së urrejtjes, FIFA ka publikuar raportin për nivelet e abuzimit në internet që synon protagonistët e Kupës së Botës në Katar dhjetorin e kaluar.

Në raportin e publikuar të dielën e 18 qershorit, lexojmë se kulmi i diskriminimit online është shënuar gjatë çerekfinaleve të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Francës.

38 për qind e fyerjeve të identifikueshme erdhën nga llogari me bazë në Evropë, 36 për qind nga Amerika e Jugut.

Një vit më parë, FIFA njoftoi se kishte bashkuar forcat me Fifpro, sindikata e futbollistëve profesionistë në botë, për të koordinuar dhe zbatuar një plan për mbrojtjen e ekipeve pjesëmarrëse, lojtarëve, zyrtarëve dhe tifozëve nga abuzimi i mediave sociale gjatë turneut të saj ndërkombëtar.

Bashkëpunimi i dy federatave rezultoi në Shërbimin e Mbrojtjes së Mediave Sociale (SMPS), një paketë mjetesh dixhitale të krijuara posaçërisht për të mbrojtur protagonistët e ngjarjeve të FIFA-s.

SMPS-ja skanoi mbi 20 milionë postime dhe komente në Facebook, Instagram, TikTok, Twitter dhe YouTube gjatë turneut.

Falë raportimit të inteligjencës artificiale mbi përmbajtjet fyese, të përforcuar nga dy nivele të analizës njerëzore, 19 mijë e 636 postime dhe komente të konsideruara si diskriminuese ose kërcënuese ishin zbuluar.

Abuzimet u raportuan drejtpërdrejt në platformat sociale ku ishin postuar, për shkelje të udhëzimeve të komunitetit.

Në shumë raste, postimet fyese janë hequr falë raportimeve nga FIFA.

Sistemi i zbulimit do të përdoret gjithashtu gjatë Kupës së Botës për Femra, të planifikuar në Australi dhe Zelandën e Re nga 20 korriku deri më 20 gusht 2023.

Skuadrave dhe lojtarëve pjesëmarrës në turne iu dha qasje në softuer që fsheh menjëherë dhe automatikisht komentet fyese (përfshirë spam-in) nga faqet e tyre.

286 mijë e 895 komente u fshehën nga publiku përpara se marrësi i synuar ose ndjekësit e tyre të mund të angazhoheshin me ta.

Mbi 300 njerëz mbahen përgjegjës për abuzimin në internet gjatë Kupës së Botës.

Pas identifikimit të profileve, shkeljet do t’i raportohen organeve ligjore kompetente për të lehtësuar miratimin e sanksioneve ndaj shkelësve.

Disa ditë pas takimit me Vinicius – sulmuesin brazilian të Real Madridit i shënjestruar nga ofendimet raciste në ndeshjen kundër Valencia-s – presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino deklaroi: “Pozicioni ynë në lidhje me diskriminimin është i qartë: nuk ka vend për asnjë formë të urrejtjes në futboll apo shoqëri. FIFA është e përkushtuar të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje përmes raportimit të mediave sociale dhe mekanizmave të heqjes”.

FIFA ofron gjithashtu një sistem sinjalizimi në internet që lejon këdo të raportojë çdo abuzim.

Përdoruesit mund të dërgojnë në mënyrë anonime dokumentacionin e shkeljeve në FIFA përmes një poste elektronike e-mail.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore