Kampionate

FFK bllokon fushën e ‘Fadil Vokrrit’, për gati 1 muaj asnjë aktivitet


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka nxjerr një njoftim të fundit sipas të cilit stadiumi “Fadil Vokrri” nuk do të presë asnjë aktivitet futbollistik për gati një muaj, për shkak të mirëmbajtjes së fushës së blertë.

Fusha e blertë në stadiumin “Fadil Vokrri” bëri jehonë, edhe pas investimit të fundit, pasi nuk ishte në kushtet e duhura. Shumë futbollistë të Kombëtares së Rumanisë, ekip me të cilin Kosova u përballë përpara disa ditësh në Nations League, u ankuan për kushtet e fushës. Madje nga disa ajo u cilësua si “fushë betoni”.

Tani, FFK-ja, ka nxjerrë një njoftim të fundit ku fusha e stadiumit është vizituar nga presidenti i qeverisë së futbollit në vend, Agim Ademi, Ministri i Sportit Hajrulla Çeku dhe disa ekspertë të UEFA-s.

Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, shpjegoi se bari natyral është “në proces rritjeje” dhe për këtë është “e nevojshme koha”.

Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj, thotë FFK-ja.

Më tej, federata njofton se “në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të”.

“Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor”, vijon FFK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore