Lajme

Fëmijët palestinezë të arrestuar nga forcat izraelite përballen me abuzime “të pamasa”


Të miturit palestinezë të arrestuar nga forcat izraelite përballen me abuzime të pamasa emocionale dhe fizike.

Në këtë përfundim ka dalë grupi i të drejtave Save the Children, i cili ka zbuluar tragjedinë nëpër të cilën të miturit kalojnë si të arrestuar.

Në raportin e grupit thuhet se disa nga fëmijët që kanë qenë të arrestuar kanë raportuar për dhunë të natyrës seksuale.

Shumë të tjerë kanë treguar se janë rrahur, janë lidhur me pranga dhe kanë qëndruar në kafaze të vegjël në qendrat e paraburgimit dhe pasi u zhvendosën midis qendrave.

Jason Lee, drejtori i Save the Children, ka thënë se fëmijët palestinezë janë të vetmit në botë që përjetojnë ndjekje penale sistematike në gjykatat ushtarake.

Ka një rritje të dukshme të numrit të ish-fëmijëve të burgosur që vuajnë nga ankthe dhe pagjumësi dhe kanë vështirësi në kthimin në jetën normale, ku shumë prej tyre raportojnë mungesë të shpresës për të ardhmen.

Referuar studimit të bërë, 86 për qind e 228 fëmijëve ish-të burgosur janë rrahur në paraburgim dhe 69 për qind janë kontrolluar me zhveshje.

Kurse 42 për qind janë plagosur në momentin e arrestimit, duke përfshirë plagë me armë zjarri dhe kocka të thyera.

Ata gjithashtu kanë treguar se janë marrë në pyetje në vende të panjohura pa praninë e një kujdestari dhe shpesh janë privuar nga ushqimi, uji dhe gjumi.

Përveç kësaj, atyre shpesh iu refuzohej qasja në një këshilltar ligjor.

Sipas Save the Children, fëmijët e anketuar ishin nga i gjithë Bregu Perëndimor i pushtuar dhe ishin ndaluar për një muaj deri në 18 muaj.

“Krimi kryesor i supozuar për këto ndalime është gjuajtja me gurë, e cila mund të sjellë një dënim me 20 vjet burg për fëmijët palestinezë”, thuhet në raport.

Sakaq, hulumtimi vjen teksa raportuesi special i OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territorin palestinez të pushtuar që nga viti 1967 paraqet prova në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për fëmijët palestinezë në paraburgim.

Vlerësohet se nga 500 deri në 1 mijë fëmijë mbahen në paraburgimin ushtarak izraelit çdo vit.

Save the Children ka thënë se këto praktika janë një shqetësim serioz dhe i kahershëm i të drejtave të njeriut.

Po ashtu i ka drejtuar thirrje qeverisë së Izraelit t’i japë fund ndalimit të fëmijëve palestinezë sipas ligjit ushtarak dhe ndjekjen e tyre në gjykatat ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore