Lajme

Fejzullahu: ZRRE-ja e ka kryer punën në lidhje me Elektroseverin, njëra pikë s’u respektua në afat


Kryetari i Bordit të Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Ymer Fejzullahu.

Kryetari i Bordit të Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Ymer Fejzullahu, pas takimit me deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri si dhe Bekë Berisha lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të energjisë në Kosovë në konferencë për media ka thënë se i ka informuar këta të fundit lidhur me furnizimin me energji elektrike.

“Ata ishin të interesuar të informohen në detaje lidhur me furnizimin me energji elektrike. Ne informuam në detaje për secilin shqetësim që patën rreth furnizimit me energjie elektrike dhe të tjerat që ata patën”, tha ai.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes së fundit për energjinë, nga ku u vendos që komunat me shumicë serbe të paguajnë energjinë elektrike, ai potencoi se vetëm një pikë nuk është duke u zbatuar.

“Besoj se ZRRE-ja e ka kryer punën e saj, pika e parë ka qenë dhënia e licencës për Elektroserver, kurse pikat tjera i takojnë institucioneve të tjera, si KEDS-KOST e të tjerat bashkë me Elektroserverin”.

“Ne mund të japim një informatë që besoj e dini që pika e dytë ende s’është respektuar në bazë të afatit, edhe pikat tjera janë të përfshira në të. Pika e dytë s’është zbatuar. Nëse shikohet në bazë të marrëveshjes thuhet se pas 100 ditëshit e qartëson se cilat janë veprimet e ZRRE-së, në përmbushje të pikave të tjera”, përfundoi ai.

Zyra e Rregullatorit për Energji.

I pyetur edhe lidhur me mundësinë e shqyrtimit të ndryshimeve në kuadër të tarifave të energjisë elektrike, Fejzullahu është shprehur pesimist se një gjë e tillë mund të realizohet aktualisht.

“Ne kemi thënë se ato varen prej çmimeve të importit, meqenëse ato çmime varen nga bursa ndërkombëtare. Kurdo që përmbushen kërkesat ligjore, ende s’janë plotësuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tyre”.

“Ne kemi përmbyllur një shqyrtim të jashtëzakonshëm në shkurt të këtij viti dhe kemi një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe po mundohemi njëjtë të jetë edhe vitin e ardhshëm. Me mundësinë që kemi me gjeneratorët vendorë, por edhe me mundësitë që kemi edhe rreth çmimeve dhe sasisë së importit në bazë të tregjeve regjionale”.

Ndërsa u arsyetua me faktin se akoma nuk janë plotësuar kriteret ligjore për një shqyrtim tjetër.

“Ne kemi hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm vitin e kaluar dhe e kemi përmbyllur në shkurt të këtij viti. Aktualisht deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat dhe kriteret ligjore për një shqyrtim tjetër të jashtëzakonshëm. Kjo është përgjigja që mund të japim deri në këtë moment. Përjashtime besoj se mund të bëhen pasi ato nuk varen nga ne, pra nga ZRRE-ja, por nga çmimet e energjisë elektrike në regjion. Por edhe të energjisë e gazit”, theksoi ai.

Pajtimi i arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë me 21 qershor në Bruksel ka mbetur – si gjithmonë – vetëm në letër.

Afatet që parashihen në udhërrëfyes për implementim nuk po respektohen – duke filluar nga i pari.

Në pikën dy të udhërrëfyesit thuhet se “brenda shtatë ditësh të pajisjes me licencë, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme të konsumatorëve në Veri, përmes Bashkimit Evropian”.

Jo shtatë, por kanë kaluar 13 ditë nga marrja e licencës së Elektroseverit nga ZRrE-ja dhe kompania serbe nuk ka dorëzuar, ashtu siç parashihet me marrëveshje, të dhënat për konsumatorë.

Të pyetur nga Albanian Post nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë kanë treguar se nuk është respektuar ajo që është akorduar në marrëveshje.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.

Një dyzinë marrëveshjes që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.

Sipas pikës tre të marrëveshjes, “brenda 10 ditësh të pajisjes me licencë, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjen e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in në mënyrë që të operojë në tregun energjetik të Kosovës”.

“Gjithashtu, nënshkrimin për strukturën e marrëveshjes për pranimin e rregullave të tregut të elektricitetit me KOSTT-in”.

Kjo pikë detyron edhe që brenda 10 ditësh të nënshkruhet “Marrëveshja e ndërlidhjes me KEDS-in, dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për të mundësuar shërbimin e distribuimit (faturimin, ,mbledhjen, mirëmbajtjen fizike të lidhjeve të konsumatorëve të rinj), në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të marrëveshjes së 2013-së”.

Asnjë nga këto marrëveshje nuk është nënshkruar përkundër se ka kaluar afati i pajtuar në Bruksel.

“Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar nga ana e KOSTT në përputhje, format dhe standarde te këtyre marrëveshjeve te aprovuara nga ZRRE dhe janë dërguar për nënshkrim tek Elektrosever në afatin e paraparë sipas Udhëzuesit, por ende nuk i kemi pranuar versionet e njëjta të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi ne pritje te konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, tregojnë nga KOSTT-i për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore