Lajme

Fejzullahu i ZRRE-së: Elektrosever ka të drejtë të blejë energji edhe në Serbi


Ymer Fejzullahu

Për kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, implementimi i marrëveshjes së energjisë në Veri – e nënshkruar javë më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – nuk do të jetë i lehtë.

Kjo pasi që qytetarët në Veri, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, do të kenë mundësi të zgjedhin edhe furnizuesin e energjisë, pra në mes të kompanisë serbe dhe KESCO-s.

“Është me rëndësi të theksojmë për ato katër komuna është licencuar edhe një furnizues tjetër që është në harmoni me marrëveshjen e Brukselit të cilat kanë të drejtë të zgjedhin të furnizohen ata qytetarë të asaj pjese përmes tarifave të këtij furnizuesi. Ata e kanë si mundësi zgjedhje, po jo detyrim, të gjithë konsumatorët që dëshirojmë të furnizohen me tarifa të cilat i ofron ky furnizues”, ka thënë Fejzullahu, për Kosova Press.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, ka thënë se kompania “Elekrosever” ka të drejtë të blejë energjinë kudo, edhe në Serbi, varësisht prej çmimit më të lirë.

Fejzullahu pret që me marrëveshjen për energjinë të zhbllokohen edhe dy linjat interkonektive të transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë që do të thoshte më shumë të ardhura për KOSTT-in.

“Aktualisht Serbia i ka bllokuar linjat inter-konektive të transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë, ne pas implementimit të marrëveshjeve shpresojmë që do të fillon edhe zhbllokimi i këtyre dy linjave, të cilat do të na mundësojnë që KOSTT të ketë të hyra shtesë nga alokimi apo shitja e kapaciteteve në treg të këtyre dy linjave”

Përveç që konsumatorët do të fillojnë t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike, ne do të kemi edhe një përfitim shtesë meqë  KOSTT-i do të sigurojë të hyra shtesë nga alokimi i kapaciteteve të dy linjave interkonektive mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore