Muzikë

Fedez është artisti i parë ‘big’ në Sunny Hill Tirana


Sunny Hill festival do të vijë në Tiranë gjatë fundjavës së 26-28 gushtit, pas suksesit të fundjavës së shkuar të korrur në Prishtinë, ku ky festival muzikor mbahet rregullisht prej disa vitesh, si iniciativë e artistes shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Me ardhjen në Tiranë, duke qenë se bëhet fjalë për dy festivale të njëpasnjëshëm praktikisht, brenda muajit, do të ndryshojnë edhe artistët (të paktën pjesa më e madhe e tyre), të cilët do të ngjiten në skenën e Sunny Hill festival.

Teksa në Prishtinë, përtej Dua Lipës, emrat “big” ishin artisti amerikano-latin, J Balvin dhe DJ i njohur ndërkombëtar, Diplo, në Tiranën pritet diçka ndryshe.

Dhe kështu ndodhi, me konfirmimin e parë.

Fedez, rap-artisti i njohur italian, ndër më të suksesshmit në vitet e fundit në industrinë muzikore përtej Adriatikut, do të jetë artisti i parë “big”, i cili do të performojë në Sunny Hill Tirana.

 

Lajmin e ka konfirmuar vetë faqja zyrtare e festivalit dhe me një koment të thjeshtë (një zemër), Fedez e ka “konfirmuar” pjesëmarrjen e tij dhe ardhjen në Tiranë.

Kjo do të jetë edhe hera e parë që ai zbarkon në kryeqytetin shqiptar për të qenë pjesë e një spektakli të tillë muzikor.

Me hite ndër vite si “Vorrei ma non posto”, “La dolce vita” apo “Magnifico”, repertori i tij është i gjerë dhe sigurisht që premtohet një performancë e larmishme prej tij.

Për emrat e tjerë ndërkaq, ende duhet pritur, por starti është më se i kënaqshëm për Sunny Hill Tirana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore