Kosova

FAZ: Ideja e Ischinger’it është kthyer përmes propozimit franko-gjerman


Foto ilustruese/Albanian Post

E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, përmes një artikulli të publikuar rishtas ka sjellur në qendër të vëmendjes idenë e diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Pjesa dërrmuese e marrëveshjes e cila u pagëzua si propozim franko-gjerman, siç kishte raportuar Albanian Post, është e ndërtuar nga modeli i dy-Gjermanive i vitit 1972, nga pajtimi që ishte quajtur Marrëveshja Bazë.

Ischinger përfaqësoi vendet e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2007, si pjesë e të ashtuquajturës “Trojka” së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë.

Në momentin e fundit, “Trojka” është dashur të shqyrtojë nëse ka zgjidhje të pranueshme për palën kosovare ashtu edhe për atë serbe, edhe pse Perëndimi kohë më parë kishte vendosur të mbështesë pavarësinë e Kosovës.

Wolfgang Ischinger

Për FAZ-in, Ischinger kishte përmendur në mënyrë specifike shembullin e dy Gjermanive, duke theksuar se “ka një qasje ndaj Marrëveshjes Bazë gjermano-gjerman të vitit 1972 në të cilin as nuk përmendet ajo që dukej objektivisht e pazgjidhshme – çështjen kombëtare”.

“Natyrisht, situata mes Kosovës dhe Serbisë është e ndryshme, por nuk duhet të refuzojmë idenë e përjashtimit nga marrëveshja atë që duket e pazgjidhshme”, deklaroi Ischinger në atë kohë.

Një model i tillë, vlerëson prestigjiozja gjermane, ofron mundësi për të “maskuar” pikëpamjet e kundërta për statusin e Kosovës në një mënyrë që do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

“Kështu, Beogradi mund ta njohë de fakto Kosovën, por në letrën përkatëse të theksojë pretendimin që rrjedh nga Kushtetuta e Serbisë, për të mos hequr dorë nga Kosova”, shkruan tutje gazeta.

Slogani i një marrëveshjeje të tillë do të ishte “pajtohem të mos pajtohem”, siç theksonte shpesh Ischinger.

“Tani, është e qartë se ideja e Ischinger-it në thelb është kapur nga propozimi gjermano-francez, për të cilin nuk ka asnjë dokument zyrtar dhe as përmbajtja nuk dihet fjalë për fjalë. Është e pasigurt nëse ky propozim mund të zbatohet”, shtoi FAZ.

Meqë propozimi franko-gjerman – që u është prezantuar si model Kosovës dhe Serbisë – ka referencë në shumë drejtime zgjidhjen gjermano-gjermane, një opsion i ngjashëm po diskutohet edhe për dy shtetet ballkanike në raport me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike – por s’është i vetmi.

Nëse veç arrihet pajtim dhe propozimi pranohet e nënshkruhet nga të dyja shtetet, dy palët do të duhej të t’u bënin një shkallëzim së larti raporteve të tyre ndër-shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore