Shqipëria

Fataliteti i tretë brenda qelive në 2022, vetëvaret një i dënuar 44-vjeçar


Një incident i rëndë është regjistruar të hënën e 18 korrikut në burgun e Durrësit, pasi është vetëvarur një 44-vjeçar me iniciale R.H.

Viktima vuante një dënim prej 14 vitesh për vrasje.

Shkak për vetëvarjen, sipas të dhënave paraprake, kanë qenë kushtet e rënduara të personit, i cili vuante edhe nga probleme të shëndetit mendor.

Ngjarja ka ndodhur në qelinë e tij në burgun e Durrësit.

Menjëherë pasi është konstatuar nga efektivët, i burgosuri është përcjellë me urgjencë për në spital ku edhe ka gjetur vdekjen më pas.

Strukturat e posaçme janë duke kryer hetimet e nevojshme për të mësuar detajet e këtij incidenti.

Më 4 maj të këtij viti, në Komisariatin e Policisë “Kavajë”, një 31-vjeçar u gjet i vetëvarur në dhomat e izolimit.

Ndërsa më 28 mars, shtetasi Arben Mici dyshohej se i vuri zjarrin qelisë në Komisariatin e Kamzës ku për pasojë humbi dhe jetën nga plagët e marra.

Sipas një raporti të fundit të Këshillit të Evropës (SPACE I – 2021), burgjet në Shqipëri kanë një nga nivelet më të larta të vetëvrasjeve në Evropë, krahas vendeve si Franca, Britania dhe Italia.

Raporti SPACE I – 2021,  rendit 49 administrata të ndryshme burgjesh në të gjithë Evropën.

Më 31 janar të vitit 2021, në institucionet penale të Këshillit të Evropës ishin 1 milion e 414 mijë e 172 të burgosur.

Shkalla e vdekshmërisë në burgjet evropiane në vitin 2020 ishte 29 të burgosur për 10 mijë të tillë.

Ndërsa ajo e vetëvrasjeve ishte 5.7 të burgosur për 10 mijë të tillë.

Burgjet shqiptare dëshmuan 10 vetëvrasje për 10 mijë të burgosur.

Kjo statistikë e rendit Shqipërinë në vendet me shkallë shumë të lartë të vetëvrasjeve në burgje (25 për qind më e lartë se mesatarja evropiane).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore