Lajme

FAO: Ulen çmimet e ushqimeve në botë gjatë gushtit


Rritja e stoqeve ndikoi në uljen e çmimeve botërore të produkteve ushqimore në gusht, përveç orizit dhe sheqerit, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Indeksi i FAO-s i çmimeve botërore të produkteve ushqimore, i cili në baza mujore monitoron ndryshimet në çmimet botërore të produkteve ushqimore që tregtohen në nivel global, shënoi mesatarisht 121,4 pikë në gusht, që është 2,1 për qind më pak krahasuar me korrikun dhe 24 për qind më pak se rekordi i arritur në mars 2022.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Çmimet e vajit të perimeve ranë 3.1 për qind në gusht, duke përmbysur pjesërisht një rritje të madhe prej 12.1 për qind në korrik dhe çmimet globale të vajit të lulediellit ranë gati tetë për qind gjatë muajit.

Kjo, pasi kërkesa globale për importe u dobësua dhe oferta në rritje e eksportuesve të mëdhenj.

Çmimet botërore të vajit të sojës ranë për shkak të kushteve të përmirësuara për prodhimin e sojës në Shtetet e Bashkuara, ndërsa çmimet e vajit të palmës ranë mesatarisht për shkak të rritjes sezonale të prodhimit në vendet e Azisë Juglindore.

Vlera e indeksit të çmimeve për drithërat u ul me 0,7 për qind në krahasim me korrikun, dhe çmimet botërore të grurit ranë me 3,8 për qind në gusht për shkak të rritjes së disponueshmërisë nga eksportuesit kryesorë, ndërsa drithërat e tjerë ndërkombëtarë ranë me 3,4 për qind për shkak të stoqeve të mëdha botërore të misrit nga korrja rekord në Brazil dhe korrja e fundit në SHBA.

Në të kundërt, vlera e indeksit të çmimeve të orizit u rrit 9.8 për qind nga korriku për të arritur një nivel nominal 15-vjeçar, duke reflektuar ndryshimet në treg pas ndalimit të eksporteve të orizit të bardhë indian nga India, eksportuesi kryesor në botë i orizit.

Pasiguria mbi kohëzgjatjen e ndalimit dhe shqetësimet rreth kufizimeve të eksportit kanë bërë që aktorët e zinxhirit të furnizimit të mbajnë stoqet, të rinegociojnë kontratat ose të ndalojnë ofertat e çmimeve, duke kufizuar tregtinë në vëllime të vogla dhe shitjet e parakontraktuara.

Vlera e indeksit të çmimeve të qumështit u ul me katër për qind krahasuar me korrikun, e udhëhequr nga çmimet globale të qumështit pluhur dhe furnizimet e bollshme nga Oqeania.

Çmimet botërore të gjalpit dhe djathit ranë gjithashtu, pjesërisht për shkak të aktivitetit të pamjaftueshëm të tregut lidhur me pushimet verore në Evropë.

Çmimet e mishit në botë ranë me 3.0 për qind, çmimet botërore të mishit të deles ranë më së shumti, për shkak të rritjes së disponueshmërisë së eksporteve kryesisht nga Australia dhe kërkesës së dobët nga Kina, si dhe stoqet e mëdha ndikuan në rënien e çmimeve të mishit të derrit, shpendëve dhe viçit.

Siç thuhet, vlera e indeksit botëror të çmimit të sheqerit është rritur me 1.3 për qind në krahasim me korrikun, ndërsa në gusht është rritur mesatarisht 34.1 për qind më shumë se vlera e një viti më parë.

Rritja u nxit kryesisht nga shqetësimet e shtuara mbi ndikimin e fenomenit El Nino në kulturat e kallamsheqerit, së bashku me reshjet nën mesataren në gusht dhe kushtet e motit të thatë në Tajlandë.

Një prodhim i madh i sheqerit në Brazil kufizoi rritjen e çmimit botëror të sheqerit, si dhe uljen e çmimit të etanolit dhe dobësimin e realit brazilian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore