Lajme

Falja e borxheve kompanive të ambalazhimit të ujit, ish-Ministrat për AP: S’ka bazë ligjore, Prokuroria ta hetojë


Foto: Albanian Post

Faljen e borxheve që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu, ua ka bërë kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë, sipas ish-ministrave që janë marrë me këtë çështje në të kaluarën, përveç se nuk ka bazë ligjore, dhe se duhet krijuar komision hetimor parlamentar, edhe Prokuroria duhet me patjetër që ta hetojë.

Sipas ish-Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (2011-2014), Dardan Gashi, falja e borxheve për kompanitë në fjalë për të cilat raportoi për disa ditë rresht Albanian Post, nga Ministri Aliu dhe vartësi i tij, Naser Hafizi, nuk ka kurrfarë bazë ligjore, derisa ka shpjeguar procedurat se si mund të falen borxhet dhe se si ka vepruar ai për këtë çështje gjatë kohës kur ka udhëhequr këtë dikaster.

“Ky nuk është borxh që ato [kompanitë] janë futur në borxh te Ministria, por është tatim që është dashur që të paguhet. Dhe ne si qeveri me radhë kemi dështuar që ta mbledhim atë tatim që nga koha kur është bërë udhëzimi administrativ”, ka thënë fillimisht Gashi për Albanian Post.

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Ministri Aliu, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

“Në kohën kur kam qenë unë ministër ka qenë problemi se është konstatuar se tatimi për përdorimin dhe shkarkimin e ujërave ka qenë më i larti në rajon, dhe kemi tentuar në atë kohë, në bashkëpunim edhe me këto kompanitë, që ta ndryshojmë nivelin e tatimit. Është në diskrecion të ministrit dhe qeverisë me ndryshu”, shpjegon ai.

Mirëpo, thekson se “kurrë nuk është menduar që ato borxhe të falen”, pasi që “ideja ka qenë që të ulet tatimi, t’i përshtatet kushteve të tregut, që të mos dëmtohen prodhuesit tanë, mirëpo borxhi duhet të paguhet”. “Kështu ka qenë vendimi ynë atëherë”, tregon ai.

Gashi përmend edhe rastin kur qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ku ai kishte qenë zëvendëskryeministër, kishte ndërmarrë një iniciativë që të falen këto borxhe, për të cilën thekson se e kishte kundërshtuar në mbledhje të ekzekutivit.

“Kam konsideruar se nuk është i ligjshëm dhe kështu ka rezultuar në fund, ai vendim është tërhequr”, shtoi.

Duke pasur parasysh këtë, ai potencon se “nuk po e kuptoj se pse Ministri Aliu edhe bashkëpunëtorët e tyre kanë menduar se paska një bazë ligjore”.

“Mënyra se si mund të falet një borxh është që Ministria e Financave duhet t’i drejtohet kuvendit në atë kërkesë dhe e njëjta të votohet në kuvend dhe pastaj të falen”, shpjegon ai, derisa shton se “nuk mundet një ministër apo kryeministri që të falë borxhe”.

Mirëpo, në situatën aktuale, pra me vendimet ekzistuese për faljen e borxheve, sipas ish-ministrit, duhet që të krijohet një komision hetimor parlamentar – iniciativë e nisur tanimë nga Partia Demokratike e Kosovës – por edhe Prokuroria ta hetojë që të kuptohet nëse ka të bëjë me favorizim të kompanive të caktuara.

“Prokuroria e ka rrugën hapur me hetu, dhe ta shikojë se si ka ardhur deri te kjo: a është çështje e favorizimit, çështje e mosdijes. Por nuk besoj që është e mosdijes sepse ka pasur një histori dhe shumica e stafit që punon aty ka punuar edhe më herët dhe e dinë çka ka ndodhur”, beson ai.

“E pakta është që të krijohet një komision hetimor dhe të shihet se me çfarë arsye dhe me çfarë proceduar është ardhur deri te ky vendim, nëse ka ardhur, dhe pastaj me të te merren edhe organet e tjera”, shtoi.

Edhe për ish-ministrin tjetër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në qeverinë Haradinaj, Fatmir Matoshi, falja e borxheve nuk ka ndonjë bazë ligjore.

“Të paktën deri në përfundim të mandatit tim, në shkurt të vitit 2020, nuk ka pasur ndonjë bazë ligjore që ka lejuar faljen ose uljen e nivelit të borxhit për taksën ujore nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë. Taksat ujore janë të hyra të planifikuara buxhetore. Falja e borxheve ka mundur të bëhet vetëm përmes ligjit”, thotë ai për AP.

Matoshi ka shpjeguar edhe vendimin që kanë marrë si qeveri për t’i lehtësuar për obliguesit e taksës ujore, por thekson se nuk ka pasur falje të borxheve.

“Në bazë të këtij vendimi në shtator të vitit 2018, ne, kemi nënshkruar memorandum me kompanitë regjionale të ujësjellësve, si furnizues me ujë të qytetarëve të Kosovës, që borxhet e grumbulluara në vlerën mbi 1.5 milion euro, t’i paguajnë me këste vjetore për pesë vite, nga 20% të borxhit në secilin vit kalendarik, në këtë mënyrë atyre u është mundësuar të vazhdojnë afatet e lejeve ujore, pasi që kanë paguar këstin e parë të borxhit”, potencon.

Ai shton se kjo ka ndodhur me kompanitë publike, “por pa e ulur asnjë centë nga vlera e borxhit”.

“Ndërsa nuk kemi pasur asnjë negocim ose bisedë me kompanitë private që janë ambalazhues dhe mbushës të ujit”.

Ekskluzive: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro

Ndryshe, janë 27 kompani që Aliu e Hafizi ua kanë falur borxhet, duke shkaktuar humbje që sipas të dhënave fillestare janë mbi 90 milionë euro.

Për gjithë këto parregullsi ishte njoftuar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Adi – Ujë Lubeteni” borxhin prej 1 milion eurove për vetëm 48 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore