Shqipëria

Falënderim me ndryshim emrash brenda fjalimit të Ramës


Partia Socialiste e Shqipërisë do të organizojë takimin e saj të parë pas përmbylljes së zgjedhjeve vendore, në Pallatin e Kongreseve të hënën e 12 qershorit në kuadër të 32-vjetorit të kësaj force politike.

Edhe pse nuk është mirëfilli një kongres, vendimet që mund të dalin prej tij priten të jenë si i një të tilli.

Por, përtej fjalës së kryesocialistit Edi Rama dhe organizimit të koktejleve festive në skaletën e ngjarjes, a priten ndryshime emrash në qeveri?!

Organizimi i ri është përditësuar në diskutime jozyrtare të selisë rozë, një vit pas riformatimit të fundit qeveritar të kabinetit “Rama 3”.

Dhe një ndër pohimet kryesore lidhet me prioritetin qeveritar të energjisë duke e bërë Shqipërinë eksportues neto brenda vitit 2029.

Pra, Ministria për Energjinë dhe Infrastrukturën do të duhej të pësonte një ndarje në thelb mes dy interesash strategjikë të kësaj mazhorance.

Mbetet për t’u parë nëse do të realizohet një lëvizje e tillë dhe se cili do të marrë përsipër detyrat e reja.

Data shënonte 25 korrik dhe kryeministri Rama njoftonte për ndryshimet e reja në Kabinetin që ai drejton.

Kryeqeveritari shkarkoi Arben Ahmetajn nga posti i zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Në vend të tij si zëvendës kryeministre u emërua Belinda Balluku, ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën.

Kryeministri, po ashtu, largoi nga posti i Kryenegociatorit me Bashkimin Evropian edhe Zef Mazin, duke e zëvendësuar me Majlinda Dhukën, e cila do të kryente edhe rolin e ministres së Shtetit.

Numri një i Qeverisë theksoi asokohe se kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimin Evropian, ishin tashmë dy prioritetet e tij, prandaj dhe ndryshimet ishin të nevojshme.

Nga 193 shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), vetëm trembëdhjetë qeveri kanë arritur barazinë gjinore në shekullin e 21-të, me të paktën të njëjtin numër grash dhe burrash që zënë sekretare dhe portofol ministror.

Dhe nga këta trembëdhjetë, vetëm tre kanë më shumë gra se burra: Shqipëria, Finlanda dhe Spanja.

Shqipëria është vendi me më shumë gra në kabinetin e saj qeveritar, me 8 ministre nga gjithsej 12.

“Kongresi” është thirrur. Cila do të jetë karrigia e radhës që do të ndërrohet, nëse do të ketë një rokadë të tillë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore