Aplikacione

Facebook-u, rishikim të detajuar të përmbajtjes


Mbështetja e vendimit të Facebook-ut nga bordi i pavarur i mbikëqyrjes për pezullimin e llogarisë së ish presidentit amerikan, Donald Trump, shërbeu si një rekomandim për rishikim më të detajuar të rolit që luajti platforma në përhapjen e teorive të konspiracionit zgjedhor.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se bordi ka thënë se platforma “përkeqësoi tensionet, të cilat arritën kulmin në dhunën e gjashtë janarit në Shtetet e Bashkuara”.

Sipas bordit të kompanisë, rishikimi “duhet të jetë një reflektim i hapur mbi modelin dhe zgjedhjet e politikave që Facebook-u ka bërë, të cilat mund të lejojnë që platforma e saj të abuzohet”.

Megjithatë, kompania gjatë kësaj kohe ka ndërmarrë hapa për t’u distancuar nga ideja se platforma e saj ka luajtur rol në atë kryengritje dhe rekomandimi i bordit mund të mos jetë ai që pret.

Madje zyrtarja e lartë operative, Sheryl Sandberg, ka folur menjëherë pas kryengritjes dhe është munduar të minimizojë rolin e kompanisë së saj në nxitjen e kryengritjes duke sugjeruar që edhe platformat e tjera të teknologjisë ishin kryesisht për t’u fajësuar.

Nga ana tjetër, Facebook-u rezulton të ketë më shumë rregulla se sa platformat e tjera lidhur me moderimin e përmbajtjes për teoritë e konspiracionit zgjedhor.

Rekomandimi i bordit që të hetohet roli i platformës në kryengritje nuk është detyrues, prandaj dhe Facebook-u mund të zgjedhë ta injorojë atë. Por, Andy Stone, zëdhënës i kompanisë, ka pohuar për CNN se Facebook-u po i merr parasysh të gjitha rekomandimet e drejtuara nga bordi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore