
Platforma Facebook ka ndërmarrë lëvizjen e radhës për të rikthyer përmbajtjen e lajmeve te përdoruesit e saj në Australi.
BBC, agjensi lajmesh, shkruan se Facebook-u javën e kaluar bllokoi lajmet në platformë për shkak të mosmarrëveshjes për ligjin e propozuar i cili detyron atë të paguajë botuesit e lajmeve për përmbajtjen.
Josh Frydenberg, politikan australian, ka deklaruar se shefi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, gjatë bisedimeve të realizuara me të i ka treguar se ndalimi do të mbaronte në ditët në vijim. Frydenberg ka shtuar se ndryshimet e pritshme do të bëhen në ligj.
Kjo bëri që qeveria ta debatonte ligjin në Senat pas miratimit të tij në Dhomën e Ulët javën e kaluar si një rast i mundshëm prove për një rregullim global.
Sipas BBC, javën e kaluar australianët u zgjuan pa qasje te përmbajtjet e lajmeve në llogarinë e tyre në Facebook. Mirëpo, platforma e arsyetoi lëvizjen duke treguar se ishte e detyruar të bllokonte lajmet në përgjigje të legjislacionit të propozuar.
Ligji synonte të krijonte një marrëveshje mes kompanive teknoligjike dhe organizatave mediatike mbi vlerën e përmbajtjeve të lajmeve.
Në fillim, propozimi ndeshi në reagime të forta nga Facebook-u dhe Google-i të cilët argumentuan se kodi nuk ishte në përputhje me logjikën e funksionimit të internetit. Facebook-u shtoi gjithashtu se merrte pak përfitime tregtare nga permbajtja e lajmeve.
Nga ana tjetër, qeveria australiane e konsideroi të nevojshëm këtë ndryshim pasi do të shërbente si një rregullator për botuesit të cilët kanë hasur në rënie të konsiderueshme të fitime gjatë epokës së internetit.
Albanianpost.com