Lajme

Facebook heq teknologjinë e njohjes së fytyrës, fshihen të dhënat e 1 miliard njerëzve


Një zhvillim rrënjësor do të ndodhë me median sociale Facebook, pasi kompania do të heqë përfundimisht teknologjinë e njohjes së fytyrës, duke fshirë kështu të dhënat e mbi 1 miliard përdoruesve në gjithë botën.

Shqetësimet e shumta sociale mbi mbledhjen e të dhënave, shtynë drejtuesit e kompanisë të marrin këtë vendim.

Teknologjia ka të bëjë me identifikimin e fytyrave në fotot e hedhura nga përdoruesit. Në bazë të saj, Facebook sugjeron etiketimet e ndryshme të personave.

Gjithsesi, rregullatorët duhet ende të shohin legjislacionin e duhur, që duhet ndjekur për marrjen e hapave të tillë.

Faktin e ka pohuar edhe nëndrejtori i departamentit të inteligjencës artificiale pranë Facebook, Jerome Presenti.

“Për shkak të kontradiktave, po e limitojmë në minimum njohjen e fytyrës në aplikacionet tona”, tha ai.

Facebook gjithsesi, nuk është i vetmi gjigand i tregut që përdor këtë teknologji. Me vendimmarrjen e tyre, pyetja shtrohet se çfarë mund të bëhet tashmë nga kompanitë e tjera.

Kjo, pasi ka kritika të shumta mbi privatësinë që ofrojnë mediat sociale në përgjithësi.

Mark Zuckerberg në Komisionin Hetimor ndaj Facebook

Nga njëra anë, ka sektorë të cilët për arsye sigurie, e kërkojnë njohjen e fytyrave si aspekt teknologjik. Nga ana tjetër, kur ajo vihet në funksion të lehtësimeve teknologjike për rrjetin, etika vihet në dyshim.

Mark Zuckerberg dhe kompania e tij janë vënë nën sulme të pamëshirshme kohët e fundit mbi këto aspekte të punës. Madje, ai doli edhe përpara komisioneve hetimore, përballë senatorëve e kongresmenëve amerikanë, për t’iu përgjigjur shqetësimeve popullore.

Përtej kësaj, duket se çështja e njohjes së fytyrës është tashmë e mbyllur.

Mbi 1 miliardë njerëzve, do t’u fshihet ky aspekt i të dhënave, duke i hequr nga dora Facebook imazhin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore