Lajme

Evropa, sidomos Italia, nuk mund të bëjë dot pa gazin rus


Për Evropën, momentalisht, është e pamundur të bëjë pa gazin dhe naftën e Rusisë.

Të paktën kështu ka thënë zëvendëskryeministri rus Aleksandr Novak, në ditën kur u takua me grupin parlamentar Rusia e Bashkuar, partia e Kremlin-it.

Sipas tij, nëse nafta e papërpunuar nga Siberia Veriore dhe Arktiku rus refuzohet nga Perëndimi, çmimet e naftës mund të rriten në 300 dollarë për fuçi.

Çka përbën një rrezik që e bën “të pamundur” që Evropa të shkëpusë menjëherë varësinë e saj energjetike nga Moska.

Zëvendëskryeministri ka siguruar Perëndimin se Rusia nuk ka ndër mend të shkurtojë prodhimin e naftës. Njëherazi, ai nuk e ka fshehur faktin se vendi do të përpiqet të diversifikojë rrugët e furnizimit.

Zhvendosja e rrjedhave të naftës drejt Lindjes

Teksa kompanitë ruse të naftës kanë filluar të ridrejtojnë flukset drejt lindjes, Moska dhe Kazakistani kanë vendosur të krijojnë një grup pune për të rritur tranzitin e naftës në Kinë.

Novak ka vënë në dukje se çështja e diversifikimit të eksporteve të hidrokarbureve në rajonin e Azisë “është vërtet aktuale, pasi po bëhen përgatitjet për një paketë të re masash” nga Perëndimi.

Tanimë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shpallur një veto për importet e naftës nga Rusia, efektin e së cilës Novak e ka minimizuar.

Situata e Italisë

Dobësia historike në energjinë e Evropës dhe Italisë është fakt.

E para varet për rreth 55 për qind nga importet dhe në dekadën 2010-2020 pesha është rritur, ndërsa në të njëjtën periudhë e dyta varet për  rreth 75 për qind.

Sa i përket Italisë, gazi natyror, i cili mbulon 40 për qind të nevojave italiane për energji, 40 për qind e tij vjen nga Rusia.

Nafta, nga ana tjetër, zë një të tretën tjetër, nga e cila 10 për qind është  e nxjerrjes ruse.

Është edhe qymyri, i cili në Itali mbulon vetëm 3.3 për qind të nevojave kombëtare, por që për gati 60 për qind vjen gjithmonë nga Moska.

Problemi i varësisë nga Rusia

Me aneksimin e Krimesë dhe fillimin e luftës në Donbas, evropianët duhej të kuptonin se Vladimir Putin nuk është një partner si të tjerët.

Roli i tij nuk është thjesht ai i furnizuesit komercial, sepse ai ka një agjendë politike armiqësore dhe të paparashikueshme.

Kështu që do të ishte e natyrshme të kërkonim mënyra alternative për të mbështetur nevojat për energji.

Në vend të kësaj, Evropa ka rritur varësinë nga Rusia. Por nëse Moska do të vendoste të mbyllte rubinetat, efektet nuk do të ishin të njëjta për të gjithë.

Gjermania dhe Italia janë vendet më të rrezikuara

Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Spanja dhe Portugalia mund të mos preken nga një shkurtim i furnizimeve të vendosur nga Moska.

Nëse vendet lindore do të kishin probleme për të kaluar drejt burimeve alternative, duke qenë të varura nga importet ruse, për Francën që është fokusuar në energjinë bërthamore, varësia nga gazi rus është shumë e ulët.

Por nëse Moska mbyll rubinetat, çmimin më të madh do ta paguante Gjermania dhe Italia.

Eliminimi i importeve ruse deri në vitin 2024

Brenda natës është e pamundur të zëvendësohen 155 miliardë metra kub gaz.

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, është i sigurt se “në dy muaj do të jemi në gjendje të përgjysmojmë varësinë nga gazi rus dhe nuk do t’i nënshtrohet më gjatë çdo shantazhi të ri”.

Kjo falë faktit se “Italia po ndërton partneritete të reja, veçanërisht me Algjerinë, Angolën, Katarin dhe Kongon: në këto vende kemi vullnetin e autoriteteve vendore për të rritur sasitë e gazit që importojmë”.

Në realitet, objektivi është të eliminohen importet brenda dy viteve.

Një objektiv që duket vërtet ambicioz.

Sidomos kur krahasohet me atë të Francës, e cila ka deklaruar një fund të importeve të gazit dhe naftës ruse deri në vitin 2027.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore