Lajme

Evakuimet nga Afganistani – trupat britanike do largohen pas atyre amerikane


Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se trupat britanike do të largohen nga aeroporti i Kabulit kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të tërhiqen, çka pritet të ndodhë më 31 gusht.

Wallace u shpreh se SHBA-të do ta “rishikojnë vendimin” për zgjatje të këtij afati, në mënyrë që të lejojë më shumë fluturime.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do t’i kërkojë presidentit amerikan, Joe Biden, në një mbledhje urgjente të udhëheqësve botërorë nga vendet e G7 të martën, më shumë kohë për qëndrimin e trupave ushtarakë.

Por, zëdhënësi i talebanëve tha se nuk e mbështet zgjatjen e afatit të 31 gushtit.

Suhail Shaheen u shpreh se, një zgjatje e atillë do të nënkuptonte “shtrirjen e okupimit të Afganistanit”. Gjithashtu ai paralajmëroi dhe për pasojat të rënda nëse kjo do të ndryshonte.

Mijëra njerëz thuhet se janë duke pritur në radhë për t’u evakuuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, pasi talebanët pushtuan kryeqytetin.

Wallace bëri me dije se kishte folur me homologun e tij amerikan dhe se tërheqja e trupave amerikane “do të dalë jashtë kornizës” për operacionet e evakuimit.

“Nuk e shoh të rëndësishme të qëndrojmë më shumë se trupat amerikane”, tha ai.

Komentet e tij vijnë pasi ministri i Forcave të Armatosura deklaroi se “nuk ishte e nevojshme” të zëvendësoheshin forcat amerikane.

Sipas James Heappey, 6 mijë e 631 persona ishin evakuuar në Mbretërinë e Bashkuar javën e kaluar dhe se nëntë fluturime ishin planifikuar për një periudhë 24-orëshe.

Gjithashtu tha se rreth 1 mijë e 800 “persona të ligjshëm” ose mbajtës të pasaportave britanike mbetën në Afganistan.

Po ashtu edhe se 2 mijë e 275 afganë që mund të zhvendosen pasi kanë punuar për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe një listë të mëtejshme të njerëzve nga “shoqëria civile më e gjerë afgane, të cilët ne do të donim t’i merrnim jashtë nëse jemi në gjendje”.

Zoti Heappey shtoi se talebanët kishin qenë një “partner efektiv” në evakuim, por Britania e Madhe “nuk po merrte asgjë për të mirëqenë” me militantët.

Zyra e Jashtme tha se kishte dërguar pesë anëtarë të stafit shtesë në Kabul për të ndihmuar me evakuimin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të stafit të tij atje në 19.

Britania po i shtyn SHBA-të për një zgjatje të transportit ajror në Kabul.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit talebanët mësynë në Presidencën e AfganistanitAta morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke e lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij, largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike: ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’u japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për t’i lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër, vendet perëndimore janë përpjekur për të evakuuar qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Cilët janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995, ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore