Vende

Eurostat: Gjysma e shqiptarëve nuk bëjnë pushime, 70% nuk kanë mundësi financiare


Referuar të dhënave të Eurostat, mbi 51 për qind e shqiptarëve nuk kanë bërë asnjë udhëtim, për të qëndruar të paktën një natë larg shtëpisë për qëllime personale pushimi.

Shqipëria renditet e teta, në listën e vendeve, qytetarët e të cilës kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që nuk bën pushime.

Në Evropë, 72 për qind e bullgarëve nuk kanë bërë pushim në vitin 2022. Po ashtu rumunët janë pak a shumë në të njëjtat nivele, me 71.8 për qind.

Renditen Italianët më pas me 59.3 për qind, grekët me 56 për qind, portugezët me 54.5 për qind, estonezët me 53.4 për qind dhe kroatët me 51.8 për qind.

Sakaq, ata që udhëtojnë më shumë jashtë shtëpisë janë norvegjezët, ku vetëm 10.9 për qind e popullsisë nuk lëviz për pushime, të ndjekur nga suedezët me 17.8 për qind.

Shqiptarët, sipas të dhënave, mbajnë rekordin për pamundësinë financiare për të kaluar të paktën një natë jashtë shtëpisë.

Afro 70 për qind e shqiptarëve nga 15-64 vjeç pohojnë se nuk shkojnë për pushime për arsye financiare, më e larta në Evropë.

Ndërsa 3.2 për qind kanë cituar arsyet shëndetësore, 6.1 për qind ato familjare, ndërsa 16.8 për qind për shkak se ishin të angazhuar me punë apo me studimet.

Ndërkaq, bullgarët që nuk shkojnë me pushime, duket se nuk kanë kohë ta bëjnë këtë. 42.6 për qind e tyre kanë thënë se arsyeja lidhet me punën ose me studimet.

51.7 për qind nga ana tjetër kanë thënë se nuk kishin mundësi financiare.

Ngjashëm rumunët kanë cituar arsye si puna e shkolla, apo çështjet familjare. Kurse 54.2 për qind nuk lëviznin për arsye financiare.

Situata shfaqet ndryshe për finlandezët, me vetëm 18.8 për qind të tyre që kanë thënë se nuk kanë mundësi financiare për të udhëtuar jashtë shtëpisë.

Shqipëria, edhe për grupmoshat mbi 65 për qind – mban rekordin për pamundësinë financiare.

50 për qind e të moshuarve kanë thënë se nuk munden, ndërsa 38 për qind e tyre kanë cituar arsye të shëndetit. Arsyeja kryesore duket se është ajo shëndetësore.

Në shumë vende evropiane, dalja në pension shfrytëzohet si një periudhë për të udhëtuar jashtë vendit.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në Norvegji, vetëm 17 për qind e personave që janë mbi 65 vjeç nuk kanë bërë pushime në vitin 2022.

Në Shqipëri, gati 72 për qind e personave mbi 65 vjeç nuk bëjnë pushime jashtë shtëpisë.

Rekordin në Evropë e mbajnë sërish bullgarët dhe rumunët me rreth 85-88 për qind.

Në Shqipëri, grupmosha që udhëton më shumë është midis 25-34 vjeç, ku pesha e atyre që nuk kanë kaluar një natë jashtë shtëpisë është 37.8 për qind, më e ulët nga të gjitha grupmoshat e tjera.

Pas tyre vjen grupi nga 35-44 vjeç, me 43.3 për qind.

Por të rinjtë shqiptarë janë njëherazi ndër ata që udhëtojnë më pak, me 50.6 për qind që nuk kanë kaluar asnjë natë jashtë shtëpisë, kundrejt holandezëve dhe norvegjezëve që e kanë këtë peshë më të ulëtën në Evropë me 11.2 për qind.

Shqiptarët duan shumë të udhëtojnë e pushojnë, por nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë.

Teksa janë të parët në Evropë që nuk kanë mjete financiare të kalojnë të paktën një natë jashtë shtëpisë, vetëm 3.7 për qind e tyre kanë thënë se nuk kanë interes që të bëjnë pushime, e dyta më e ulëta pas Danimarkës, me 1.1 për qind.

Mungesën më të lartë të interesit për të pushuar e udhëtuar e kanë portugezët, me 64 për qind, të ndjekur nga suedezët dhe finlandezët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore