Lajme

Eurodeputeti austriak: Vonesat e mëtejshme për liberalizimin e vizave të Kosovës janë të papranueshme


Deputeti i Parlamentit Evropian, Andreas Schieder

Eurodeputeti austriak Andreas Schieder, ka deklaruar se e mirëpret liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ai ka apeluar që të mos ketë më vonesa në këtë proces.

Schieder përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka theksuar se e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“E përshëndes liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se 1.1.2024 deri kur ETIAS duhet të jetë në funksion. Vonesat e mëtejshme janë të papranueshme”.

Tutje, ai ka bërë thirrje që veprimet përshkallëzuese nga Serbia të dënohen.

“Dialogu Beograd-Prishtinë i udhëhequr nga BE-ja duhet të intensifikohet për të normalizuar marrëdhëniet dypalëshe. Veprimet përshkallëzuese gjatë muajve të fundit nga Serbia dhe aktorët e sponsorizuar nga Serbia duhet të denoncohen. Njohja ndërkombëtare e Kosovës duhet të vendoset në gur”, ka shkruar ai.

Ndryshe, në takimin e fundit të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte miratuar pa diskutim, pasi me propozimin që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, vendet anëtare të BE-së ishin pajtuar më 22 nëntor.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023, por Spanja – njëra prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – nuk u pajtua.

Gjatë takimeve të Grupit të Punës për vizat, të mbajtura në muajin tetor dhe nëntor, vendet anëtare ranë dakord për projekt-propozimin, i cili përfshinte “kushtëzimin” francez, që liberalizim i vizave të lidhej me funksionalizimin e sistemit ETIAS-it (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit).

Në rast se ETIAS, një sistem i krijuar rishtas me qëllim për të përmirësuar sigurinë dhe për t’u mundësuar autoriteteve në Zonën e Shengenit që të mbajnë gjurmët e shtetasve të vendeve të treta që hyjnë pa viza në Evropë, nuk funksionon brenda afatit të caktuar, vizat për qytetarët e Kosovës duhet të hiqen jo më vonë se data e propozuar sipas versionit të mëparshëm.

Tani propozimi për vizat i ka kaluar për herë të parë Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për miratim me anë të shumicës së kualifikuar.

Albanian Post ka raportuar me 5 nëntor të vitit të kaluar ekskluzivisht se “Kosovës do t’i liberalizohen vizat shumë shpejt, pasi është arritur edhe pajtim mes Brukselit dhe Kosovës”.

Atëherë me burime, AP shkruante se Brukseli zyrtar ka marrë pëlqimin e të gjitha ministrive të shteteve anëtare dhe Këshilli i Ministrave do të vendosë pozitivisht për këtë çështje.

Kujtojmë se pas rekomandimit të parë të Komisionit të BE-së heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës në vitin 2018, PE-ja ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën në disa raste gjatë viteve të fundit.

Së fundmi, PE-ja miratoi një rezolutë për politikat e zgjerimit të BE-së, në të cilën i bëri thirrje Këshillit të BE-së që “të japë liberalizimin e vizave për Kosovën – pa vonesë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore