Lajme

Eurodeputetët, thirrje për zgjedhjet në Hungari që të monitorohen


Një grup ndërpartiak eurodeputetësh ka bërë thirrje që të ngrihet një mision vëzhgimi për zgjedhjet në Hungari.

Kjo, me frikën se më 3 prill do të shkelen standardet demokratike.

Hungarezët drejtohen për në kutitë e votimit më 3 prill në zgjedhjet parlamentare, që do të vendosin për fatin e kryeministrit në detyrë, Viktor Orban.

Gjatë 12 viteve të fundit, në detyrë është parë një kontroll më i fortë ekzekutiv mbi gjykatat, një zbehje e mediave të pavarura dhe shumë shqetësime janë përhapur për korrupsion.

Në një letër drejtuar kreut të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e cila kontrollon ndershmërinë zgjedhore në 57 shtete kryesisht evropiane dhe të Azisë Qendrore, eurodeputetët kërkuan një mision vëzhgimi në shkallë të plotë të zgjedhjeve në Hungari.

“Ne vijmë nga pesë grupe politike dhe nga 19 vende të ndryshme. Por të gjithë ndajmë shqetësimin se zgjedhjet mund të mos mbahen sipas standardeve më të larta demokratike”, shkruhet në letrën drejtuar drejtorit të ODIHR-it, Matteo Mecacci.

ODIHR, pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka nisur të vlerësojë situatën.

Gjatë zgjedhjeve të Hungarisë në 2018-ën, ajo dërgoi atje një mision të kufizuar, që do të thotë se nuk ndërmori vëzhgim sistematik të votimit, numërimit të rezultateve.

Pas votimit të vitit 2018, ku partia Fidesz e Orbanit fitoi dy të tretat e shumicës, vëzhguesit e OSBE-së kritikuan retorikën “armiqësore dhe ksenofobike”.

Eurodeputetët përmendën këto çështje dhe ngritën gjithashtu alarmin për rregullat e reja të regjistrimit të votuesve, të cilat thonë se e bëjnë më të lehtë për njerëzit përdorimin e adresave fiktive.

“Ka frikë se këto rregulla do të instrumentalizohen nga partia në pushtet për të rritur bazën e saj të votuesve në rajone veçanërisht të kontestuara”, finalizohet deklarata.

Orban – armik i shtypit

Orban u bë udhëheqësi i parë evropian që është pjesë e listës së Reporterëve pa Kufij, si armik i lirisë së shtypit.

Ai u bashkohet 36 krerëve të tjerë të qeverisë duke përfshirë dy udhëheqëse aziatike.

Sipas organizatës, Viktor Orban, që me ardhjen e tij në pushtet, “ka futur duart në kontrollin e medias”.

Ajo ka theksuar se, kryeministri hungarez ka shënjestruar mediat me “metoda grabitqare”, të cilat përfshijnë “mashtrime politiko-ekonomike, diskreditim, vetëcensurë”.

Mbikëqyrësi i lirisë së shtypit vuri në dukje se shtypi rajonal në Hungari ka qenë plotësisht në pronësi të sipërmarrësve ortakë me Orban, që nga vera e vitit 2017.

“Në vjeshtën e vitit 2018, gati 500 kompani mediatike pro-qeveritare u bashkuan në një kompani të vetme, për të koordinuar në mënyrë qendrore mbulimin e tyre”, shkruhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore