Shqipëria

Euro fiton terren të konsiderueshëm ndaj Lekut


Euro po fiton terren në kursin e këmbimit me Lekun gjatë kësaj jave.

Kështu është kthyer sipër nivelit të 105 lekëve për herë të parë që nga fundi i muajit korrik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye të mërkurën me 105.09 lekë, në rritje me 1.26 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera. Dollari Amerikan u këmbye sot me 96.2 lekë, në rritje me 1.65 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

Paundi Britanik u këmbye me 122.72 lekë, në rritje me 2.7 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Edhe për Paundin, njëlloj si për Euron, bëhet fjalë për vlerën më të lartë që nga data 28 korrik.

Ringritja e lehtë e Euros në kursin e këmbimit mund të shpjegohet pjesërisht me zbutjen e elementit sezonal. Të dhënat historike tregojnë se gjatë sezonit veror kursi i Euros e arrin nivelin më të ulët në fillimin e muajit gusht, ndërsa në vazhdim ka një tendencë të lehtë të korrektimit në rritje.

Në fund të kësaj jave, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e dytë të blerjes së valutës për muajin gusht. Shuma e parashikuar për tu blerë në raundin e parë është 5 deri në 9 milionë euro, por duke marrë në konsideratë ankandet e mëparshme pritet që, duke përfshirë edhe raundin e dytë të ankandit, blerjet të arrijnë deri në 17-18 milionë euro.

Përgjithësisht, efekti i ankandeve të Bankës së Shqipërisë është më i ndjeshëm në ditët pararendëse, kur subjektet që marrin pjesë në ankand mund të dalin në pozicion blerjeje.

Agjentët e tregut bëjnë me dije se bankat tregtare kanë dalë në blerje të valutës, duke shtuar kërkesën dhe duke e rritur kursin me ritme të larta.

Ekspertët besojnë se kjo situatë është tipike e kërkesave në vlera të mëdha nga klientë korporativë. Bankat po blejnë valutë për të përmbushur këtë kërkesë ose për të mbyllur pozicionet nga shitjet në vlera të mëdha të realizuara.

Shqipëria ka parë një rritje të suficitit në 6-mujorin e parë të vitit.

Buxheti ishte në suficit prej 46.2 miliardë lekësh në gjashtë muajt e parë të vitit, krahasuar me një suficit prej 15 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat paraprake.

Të ardhurat e buxhetit të konsoliduar u rritën me 14,5% nga viti në vit në 320 miliardë lekë në gjysmën e parë të 2023, ndërsa shpenzimet u rritën me 3,6% në 274 miliardë lekë.

Kujtojmë se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur procedurat për blerjen e energjisë elektrike duke iu referuar ankandeve të mbajtura në periudhën 15-23 korrik.

Shuma totale e blerë arrin në 50 mijë e 800 MË, për të cilat janë shpenzuar 5 milionë e 988 mijë e 570 euro.

Shqipëria ka qenë një prodhues i tepërt i energjisë elektrike që nga nëntori, kur pati një sasi të madhe reshjesh, duke e ngritur nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës në kuotat më të larta historike.

Vitin e kaluar importet e energjisë nga KESH luajtën një rol të konsiderueshëm në kursin e këmbimit dhe sollën rritje të përkohshme të kursit, siç ndodhi në muajin mars 2022.

Megjithatë, pas nëntorit 2022, rritja e prodhimit të brendshëm të energjisë ulu nevojën për importe dhe ndikoi në uljen e kërkesës për euro dhe në rënien e kursit të monedhës evropiane në muajt e fundit të vitit. Me sa duket, rifillimi i importeve të energjisë mund të jetë një faktor që do të ndikojë përsëri kursin e këmbimit valutor.

Agjentët mendojnë se në treg mund të ketë pasur edhe subjekte të tjera që kishin zgjedhur këtë periudhë të vitit për të blerë valutë, mbështetur në pritshmëritë për rënien sezonale të kursit Euro-Lek.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore