Euro 2024

Euro 2024: Spanja tregon forcën ndaj Kroacisë


Kombëtarja e Spanjes e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në Euro 2024 duke marrë një fitore të madhe 3-0 ndaj Kroacisë.

Spanja dukej totalisht një super fuqi përballë kroatëve në këtë takim të Grupit B, aty ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria me Italinë, me këto të fundit që përballen në mbrëmje duke filluar nga ora 21:00.

Skuadra e Luis de la Fuente e nisi shumë mire takimin, pavarësisht se Kroacia më vonë do të merrte disi frenat e lojës. Por, atëherë kur kroatët dukeshin se po gjenin formën e mirë do të vinte goli i parë i takimit.

Alvaro Morata i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes kroate në minutën e 29 dhe pas një sprinti me top arriti të kalonte portierin Dominik Livakovic.

Vetëm Cesc Fabregas (8 – 3 gola, 5 asistime) ka qenë i përfshirë në më shumë gola në Euro për Spanjën Morata (7 – 7 gola, po aq sa Fernando Torres dhe David Silva).

Tashmë Morata ka shënuar në të dy skajet e këtij stadiumi, “Olympiastadion”. Goli tjetër erdhi për Juventus-in në finalen e Champions League 2015.

Vetëm tre minuta pas golit të parë spanjoll, Fabian Ruiz, njeriu asist te ai gol, arriti të shënonte të dytin, çka tregoi edhe një herë problemet në prapavijë për ballkanasit.

Goli i tretë për Spanjën edhi nga mbrojtësi i djathtë, Dani Carvajal, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, me yllin e Real Madrid-it që realizoi pas asistimit nga Lamine Yamal.

Gjatë kësaj periudhe, Kroacia pati dy-tre raste të mira shënimi, por portieri spanjoll Unai Simon u tregua në lartësinë e duhur për të ndaluar rastet kroate.

Në pjesën e dytë, si Spanja ashtu edhe Kroacia patën mundësi shënimi, por asnjëra prej tyre nuk mundi ta dërgonte topin në rrejtë, kjo edhe për shkak të portiërëve respektivë që ishin në lartësinë e duhur.

Megjithatë, kroatët do të gjenin një gol në minutën e 81, por ai do iu anulohej nga VAR.

Një statistikë interesante është se Yamal, talenti i Barcelona-s, u bë lojtari më i ri që debuton në Euro, në moshën 16 vjeç e 338 ditë.

Ndërsa, Luka Modric është bërë lojtari i parë që ka luajtur në pesë turne të Euro-s për Kroacinë. Gjithsej 13 paraqitjet e tij në përgjithësi është më shumë se çdo lojtar tjetër kroat.

Skuadrat e nisën ndeshjen me formacionet:

Spanja: Simon; Carvajal, Le Normand, Nacho, Cucurella; Ruiz, Rodri (Zubimendi), Pedri (Dani Olmo); Yamal (Ferran Torres), Morata (Oyarzabal), Williams (Merino).

Kroacia: Livakovic; Stanisic, Sutalo, Pongracic, Gvardiol; Brozovic, Kovacic (Sucic), Modric (Pasalic); Majer, Budimir (Perisic), Kramaric (Petkovic).

Notat e lojtarëve (sipas Whoscored)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore