Lajme

EULEX sjell ekip të specializuar për Veriun


Zyrtarët e EULEX-it

Misioni i EULEX-it ka njoftuar se më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë këshilltarësh policorë është dislokuar në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në përputhje me mandatin e këtij misioni për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë.

Ky ekip, siç bëhet me dije nga EULEX, do të punojë në katër komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të banuara me shumicë serbe.

“Pjesëtarët e ES të EULEX-it janë të dërguar nga Holanda (tre) dhe Suedia (tre) dhe, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat Veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Siç thuhet në njoftim, ky ekip i specializuar i EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, “duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet”.

Dislokimi i këtij ekipi të EULEX-it do të zgjasë fillimisht për dy muaj, “me mundësinë e vazhdimit derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në Veri të Kosovës”.

Tutje, nga misioni i EULEX-it kanë theksuar se dislokimi i këtij Ekipi të Specializuar me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore