Kosova

EULEX: Në afërsi të Urës së Ibrit patrullimet i kemi të vazhdueshme


Foto nga arkivi

Misioni i Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se është duke kryer patrullime vazhdimisht në pjesën veriore si dhe në afërsi të Urës së Ibrit.

EULEX përmes një përgjigje për Albanian Post ka thënë se këto patrullime po kryhen në përputhje me mandatin që kanë.

“Në veçanti, për të fituar një kuptim të situatës, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it po kryen patrullime të lëvizshme të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – Mitrovicën Veriore dhe në afërsi të Urës së Ibrit”, ka thënë EULEX-i për Albanian Post.

Gjatë ditës nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, pati deklarata se është rritur numri i pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it në Veri.

Albanian Post ka kontaktuar edhe KFOR-in lidhur me çështjen nëse është rritur numri i trupave në Veri, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

I shkurtër në sqarim dhe mjaft i drejtpërdrejtë në kërkesë u paraqit të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili njoftoi se qëndrimi i shteteve të QUINT-it (SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe i NATO-s është kundër që ura mbi lumin Ibër, e cila bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut të hapet për qarkullimin e automjeteve në këtë fazë.

Me këtë qëndrim QUINT-i doli kundër synimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

18 korrik, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media, një ditë pas takimit me ambasadorët e QUINT-it deklaroi se synimi i ekzekutivit për hapjen e urës së Ibrit nuk është kundër askujt.

Ai madje argumentoi se hapja e saj është edhe obligim ligjor.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ishte deklarata e Kurtit.

Për më shumë se dy dekada Ura e Ibrit gjithmonë është parë si simbol i ndarjes etnike në Mitrovicë.

Ndonëse përpjekjet për hapjen e urës datojnë qysh herët, gjithmonë të njëjtat kanë hasur në sfida të ndryshme ndër vite.

Një mundësi e re për ta hapur Urën e Ibrit ishte rikthyer nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, por prapë me kundërshtime nga ndërkombëtaret, pasi kjo “mund të dërgojë në tensione të reja”.

Prandaj, të gjitha veprimet po kërkohen të merren në kuadër të dialogut, në të kundërtën çdo hap tjetër do të konsiderohet si “veprim i njëanshëm” i Kosovës, ishte thënë nga ndërkombëtarët.

Hapja e Urës së Ibrit, shans i ri për lidhje dhe/apo rritje tensionesh?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore