Lajme

“EULEX-i i panevojshëm”, Wigemark: S’janë pjekur kushtet, opsion edhe dërgimi i trupave shtesë


Lars-Gunnar Wigemark

Ndonëse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke u bërë çdo ditë e më i panevojshëm,  shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se një ditë do të largohen nga Kosova, porse momentalisht nuk janë krijuar kushtet e duhura për një gjë të tillë.

Diplomati suedez, në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve “Associated Press”, përveçse vlerësoi që EULEX – megjithatë – është ende i nevojshëm në Kosovë ngase aktualisht “nuk janë pjekur kushtet” për t’u larguar, tha se nuk përjashtohet mundësia e dërgimit “të mijëra trupave tjerë” në Kosovë.

Kështu pohoi ai, teksa komentoi tensionet në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Tashmë vetëm se kishte dhunë të llojit më keq. Të gjithë… thonë se jemi me fat që nuk patëm viktima”, ka thënë Wigermark, kurse ka treguar se sa i përket EULEX-it do të vinte koha ku ata të mos ishin më të nevojshëm në Kosovë, porse “kushtet nuk janë pjekur ende për këtë”.

Shefi i EULEX-it theksoi se është “ekzistenciale” që incidente të këtilla të mos kthehen në “ndonjë konflikt të armatosur”, ndërsa shtoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është “vendi për të zgjidhur çështjet e hapura”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen lamtumirëse që është organizuar për shefin e EULEX-it, ka thënë se mënyra më e përshtatshme që pushteti t’ia shprehë falënderimin një organizate të huaj, është t’ia dëshmojë asaj se më nuk është e nevojshme.

Kosova rrezikon të renditet në mesin e atyre pak shteteve që janë nën sanksionet amerikane dhe ende po mbrohet nga zyrtarët amerikanë, sëpaku nga terminologjia e përdorur, ndërsa kryeministri Kurti është i pari lider që merr një ultimatum nga administrata amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë, fajtore e kanë bërë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti.

Me sanksione/pasoja tepër serioze është kërcënuar Qeveria e Kosovës po që se nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veri të, ndërsa e presin një përgjigje pozitive deri të premten.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale në veri dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur autoriteteve kosovare.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore