Kosova

EULEX: 105 policë polakë i kemi shtuar në Veri


Foto: EULEX.

105 policë polakë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) janë shtuar në Veri të Mitrovicës.

Këtë e ka bërë të ditur EULEX-i përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Për shkak të zhvillimeve të fundit, Njësia e Formuar Policore e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), e cila përbëhet nga 105 policë polakë, po kryen patrullime të shtuara në veri të Kosovës”, është thënë nga EULEX-i për Albanian Post.

Nga ky mision është thënë se janë duke monitoruar situatën dhe të gjitha zhvillimet gjatë gjithë kohës.

“EULEX-i, mbetet vigjilent dhe po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjithë popujve në Kosovë në përputhje me mandatin tonë”.

EULEX.

Përmes kësaj EULEX-i ka konfirmuar se mbështet Kosovën dhe është e angazhuar që të mbrojë sigurinë.

“Rritja e patrullave zbuluese tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), i është bashkuar misionit paqeruajtës të KFOR-it për të patrulluar pikat kufitare të veriut të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak.

Këtë e ka konfirmuar KFOR-i përmes një përgjigje me shkrim për Albanain Post.

“Për të rritur ndërgjegjësimin e situatës, KFOR-i ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit Jarinje dhe Bërnjak, ka ngritur disa pika të kontrollit të trafikut dhe ka rritur patrullimin në zonë së bashku me personelin e Misionit te Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje për Albanain Post.

Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , u takuan në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk arritën ndonjë rezultat konkret.

Takimi trepalësh në Bruksel me 18 gusht.

Pas këtij takimi, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për dy ditë kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me liderë institucionalë dhe të partive opozitare.

Më 25 gushti ata u takuan edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë shmangia e përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Çka janë targat KM?

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) janë targa që Kosova deri i konsidero ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore