Kosova

Escobar: Lajçak-u nuk do të largohet, dialogu nuk do të largohet


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Gabriel Escobar ka konfirmuar për “Zërin e Amerikës” se diplomati sllovak Miroslav Lajçak nuk do të largohet nga bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçak-un. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçak-u nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet”, theksoi fillimisht zyrtari amerikan.

Madje Escobar vërejti në vijim të fjalës së tij në intervistën për VOA-n se “nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij”.

Ai shtoi se është alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçak-ut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës.

“I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, shtoi i dërguari amerikan.

Gjatë intervistës, Escobar ravijëzoi se ka ardhur koha për një përqasje të re brenda dialogut “për disa nga personat” që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”.

“E kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrell-it ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës”, u shpreh në përmbyllje Gabriel Escobar.

Lajçaku dhe “teoria e komplotit” kundër Kosovës

Ndërtimi i situatës

Qeveria e Kosovës ka bërë përgjegjës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së përgjegjësinë diplomatin sllovak, i cili, sipas autoriteteve kosovare, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.

E për këtë është i bindur kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, flirtoi me teorinë e konspiracionit dhe komplotit.

Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut.

BE-ja megjithatë i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njëanshmërinë e Lajçak-ut, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se pavarësisht këtyre “akuzave të pabaza”, terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli.

Presidentja Osmani ndërkohë ka filluar të marrë një rol më aktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore