Escobar, Kurtit: Të lutëm mos na humb kohë – të gjithë e dimë se Asociacioni është ligjërisht i obligueshëm

“Të lutëm mos na humbë kohë”, tha Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, kur u pyet nga gazetarja serbe Ksenija Pavloviç McAteer, se cili ishte mesazhi i tij për Albin Kurtin.
Në intervistën e tij të tretë brenda dy ditësh (pas asaj në Zërin e Amerikës dhe në Radio Evropa e Lirë), Escobar përsëriti frazën e tij të re se “1.5 milionë banorë nuk diktojnë taktikat e komunitetit trans-atlantik prej 700 milionë banorësh”.
Për Eecobarin, lëvizjet e fundit në dialog të Kurtit janë humbje kohe, sepse “Asociacioni është ligjërisht i detyrueshëm dhe do të ndodhë”.
“Nuk dua të humb më shumë kohë në diskutime taktike për sekuencim, sepse, siç e kam thënë më parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është ligjërisht i detyrueshëm”, deklaroi Escobar në intervistë me Pavloviç-McAteer.
Pyetja kryesore, sipas Escobar-it, është “edhe sa gjatë duan të presin qytetarët e Kosovës për të bërë pjesën e tyre, dhe edhe sa gjatë duan të presion qytetarët e rajonit për të normalizuar raportet Kosovës – Serbi?”.
Escobar u tregua i matur në përshkrim të situatës dhe tha se s’mund ta quajë se procesi “ka kolapsuar”, porse lirisht mund të thuhet se palët e përfshira kanë dështuar t’i afrohen zgjidhjes.
“S’do e karakterizoja si kolapsim”, tha Escobar. “Do të thosha se ishim të pasuksesshëm në afrimin e palëve. Gjithsesi, edhe qëndrimi i Administratës (Joe) Biden është se kjo nuk nënkupton se diplomacia duhet të braktiset”.
“Dialogu është shtegu i vetëm”, përsëriti atë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha më parë.
“Është i rëndësishëm (dialogu), veçanërisht për Kosovën, sepse derisa dy palët normalizohen, ata gjithashtu po harmonizohen me BE-në. Na duhet një shteg evropian për Kosovën, duke pasur një progres evropian, që është dialogu dhe plani evropian, që nënkupton Marrëveshjen e Ohrit dhe Marrëveshjen e Brukselit”.
Escobar shtoi se “duke pasur Bashkimin Evropian si garantues, ia jep një platformë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shtyrë përpara integrim më të madh për Kosovën në rajon, dhe potencialisht për më shumë njohje”.
Për kryeministrin Kurti, Escobar tha se megjithëse s’mund të flas në emër të tij, “duket se ai po mundohet t’i caktojë kushte Bashkimit Evropian. Tani, a mundet kryeministri i një vendi me 1.5 milionë banorë të diktojë kushtet dhe termet e një komuniteti transatlantik me 700 milionë banorë, mendoj se duhet të jemi pak më realist në këtë raport. Prandaj, shpresoj se mund ta sjellim Kosovën në një vend më realistik e më pragmatik”.
Planin e Bashkimit Evropian për sekuencim, Escobar e ka quajtur “shumë të drejtë”.
“Të dyja palët duhet menjëherë të fillojnë zbatimin e atyre që iu kërkohet. E di se në disa raste, Serbia do që Kosova ta formojë Asociacionin para se të ndërmarrë vetë hapa, dhe e di se Kosova ka propozuar që Serbia të plotësojë gjithë pjesën e saj para se ta formojë Asociacionin”.
“Por, Asociacioni do të jetë proces. Prandaj mendoj se ne duhet ta startojmë procesin. Njohja e dokumenteve të Kosovës, kartave të identitetit, targave, dokumenteve qeveritar, të gjitha janë pjesë e marrëveshjes. Edhe adresimi i çështjes së strukturave ilegale nën Asociacion, mendoj se edhe kjo është proces po ashtu. Prandaj, unë besoj se procesi duhet të fillojë tani. Akoma po presim Qeverinë e Kosovës të tregojë se po bën lëvizje përpara në formimin e Asociacionit”.
Pas takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel, ku u tha se propozimin i Bashkimit Evropian për sekuencim të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë u pranua nga Serbia, por u refuzua nga Kosova, kryeministri kosovar, Albin Kurti, doli para gazetarëve me akuza se në fakt propozimi i BE-së ishte një kushtëzim i Serbisë.
Kurti e bëri me faj përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, meqë tha se ai është personi që punon në favor të Serbisë dhe është i njëanshëm në dialog.
Kurti s’donte të sulmonte Josep Borrell-in, shefin e Lajçak-ut, duke aluduar se Lajçak mban gjëra të fshehura edhe nga vetë Borrell.
Kurti tha se akuzat për Lajçakun s’janë akuza as për Bashkimin Evropian në përgjithësi.
Por, vetëm një ditë pas, BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të gjithë personalitete e përfshira në proces dialogues u rreshtuan prapa Lajçak-ut duke thënë se e vlerësojnë lartë punën e tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Ministri izraelit i Ekonomisë do të garojë kundër Netanyahut në zgjedhjet partiake
-
Pritet të mbahet takimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ, rastet përfshijnë dhe Shqipërinë
-
Spotify shkurton thuajse 1600 vende pune mes kostove në rritje
-
Dizajnerët italianë që po përdorin lëvoret e frutave për të krijuar orendi