Kosova

Escobar flet me gazetarë për zhvillimet në Kosovë e Serbi


Gabriel Escobar, i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili njëkohësisht është i dërguar i shtetit për Ballkanin Perëndimor, këtë të premte do të mbajë një konferencë për medie.

Komunikimin me gazetarë, Escobar do ta bëjë përmes platformës online, duke filluar nga ora 15:00, njofton Departamenti i Shtetit Amerikan.

Tema e diskutimit me gazetarë, padyshim se do të jetë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

Më 14 qershor tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar rastin si kidnapim brenda territorit të Kosovës.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se i arrestuan pasi që tre zyrtarët policorë të Kosovës kishin hyrë në territor të Serbisë.

Një ditë më parë, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë e Serbi që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet.

Thirrja e diplomacisë amerikane përfshin gjithashtu lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për mediat të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të ç’tensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, u tha gazetarëve zyrtari amerikan.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), nëpërmjet një komunikate për media, ka mohuar pretendimet se ishin prezent në zonën ku të mërkurën tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen brenda territorit të vet nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Në komunikatë thuhet se KFOR-i ka dërguar një ekip në zonën ku ndodhi rrëmbimi dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe, por edhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

“KFOR-i gjithashtu është në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për sundimin e ligjit, EULEX-in. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.

Nga misioni paqeruajtës thuhet se poe  monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Ai gjithashtu vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të çuar përpara dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore