Lajme

Escobar e Lajçak po vijnë për diskutimin e modeleve për themelimin e Asociacionit?


Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak

Ardhjen në Kosovë (me 31 janar) të zëvendës-ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mediat në Serbi e kanë prezantuar si një udhëtim drejt Kosovës e Serbisë që ka të bëjë kryekëput me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Asociacioni është një kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, por që ka gjetur përkrahje edhe nga Bashkimi Evropian, meqë Kosova ishte pajtuar ta implementojë.

Por, që problemi ishte te pajtimi rreth kompetencave të Asociacionit, meqë serbët kërkojnë të jetë një nivel i tretë i pushtetit dhe me kompetenca ekzekutive, çka bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Edhe disa media në Kosovë kanë shkruar se Escobar e Lajçak do të mund të vijnë me propozime konkrete për modele të ndryshme të rregullimit të Asociacionit.

Por qëndrimet e dy palëve, Kosovës e Serbisë, nuk janë për një zgjidhje të mesme.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht e ka kundërshtuar themelimin, siç e kanë quajtur, të Zajednicës, pasi e shohin si “ndarje të Kosovës”.

Edhe një nga protestat më të mëdha të Vetëvendosjes sa ishte në opozite ishte bërë pikërisht kundër këtij bashkimi komunash me shumicë serbe.

Në anën tjetër, në Serbi duan Asociacion me të drejta ekzekutive dhe asgjë më pak.

Kryetari i të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, është shprehur se nuk janë për versione të zbutura.

“Nuk ka ndryshime të Asociacionit. Nuk është e mundur që vazhdimisht të takohemi me Prishtinën dhe të ndryshojmë atë që është marrë vesh. Marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet ashtu siç është rënë dakord, përndryshe do të rezultojë se Shtetet e Bashkuara që morën pjesë në të gjitha këto janë joserioze, të papërgjegjshme dhe gjithashtu të paparashikueshme”.

Madje, nëse ndërhyhet në strukturën e asaj që Drecun thotë se një herë është arritur pajtim “mund të zvogëlojë më tej shanset edhe ashtu minimale për të vazhduar dialogun dhe për të bërë ndonjë përparim”.

Për të njëjtën çështje ka reaguar edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel “përmban modelin e vetëm të ekzistencës së KPK-së, siç është rënë dakord dhe nënshkruar nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja”, thonë nga kjo zyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore