Shqipëria

Erion Veliaj takon ambasadorin japonez


Ditën e enjte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadorin e ri të Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki. Në shenjë respekti Veliaj i dhuroi atij “Kullën e Sahatit”.

Sipas kryetarit të Bashkisë bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve shton mundësitë për investime japoneze në Tiranë.

“Shpresa jonë është që, projektin e filluar në periferi të Tiranës, në zonën e Kodër-Kamzës, me ’Sumimoto’-n, ta kemi si dallëndyshen e parë të shumë kompanive japoneze që do të vijnë në Shqipëri”, theksoi kryebashkiaku.

Sipas postimit në faqen zyrtare të Bashkisë, ambasadori ka vlerësuar Veliajn për punën e bërë, duke i premtuar atij bashkëpunim, për të mirën e Tiranës.

“Do të ftoj më shumë investitorë nga Japonia në Tiranë, nën lidershipin tuaj të fortë, si një kryebashkiak i shkëlqyer që jeni, dhe jam i sigurt se Tirana do të zhvillohet edhe më shumë, edhe më shpejt”, tha Mitsuyuki.

Në qendër të bisedimeve mes tyre ishin edhe tre projekte të rëndësishme, si zona e lirë ekonomike apo impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore