Lajme

Erdogan: Suedia nuk duhet të presë që Turqia të mbështesë ofertën e saj në NATO


Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi Suedinë për lejimin e simpatizantëve terroristë dhe të tjerëve të shpërndajnë lirisht propagandë urrejtjeje.

Kjo, duke thënë se Stokholmi nuk duhet të presë që Turqia të mbështesë ofertën e saj në NATO.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Daily Sabah”.

Prej muajsh, Turqia është i vetmi vend që e ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke mos i ratifikuar marrëveshjet e vendeve nordike me aleancën në Parlament.

Në dhjetor, ishte presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ai i cili garantoi se do të ndodhte diçka e tillë në janar, duke i lënë rrugë të lirë procesit.

Mirëpo, sipas kryeministrit suedez, Ulf Kristersson, Ankaraja ka bërë disa kërkesa, të cilat Stockholmi nuk i përmbush dot dhe nuk i pranon si të tilla.

“Turqia e ka vërtetuar se ne e kemi bërë atë çfarë duhet të bënim, por njëkohësisht edhe kërkon gjëra, të cilat ne as nuk mundemi e as nuk duam t’i bëjmë ose japim”, tha Kristersson gjatë një konference për sigurinë, ku i pranishëm ishte edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pavarësisht kësaj, kryeministri suedez nuk e ka përcaktuar se çfarë kërkesash konkrete Turqia ka pasur, duke mos specifikuar asnjë detaj të mëtejshëm.

Prej Ankarasë, një qëndrim zyrtar mbi çështjen nuk ka ende, sa i përket deklaratave të ardhura nga Kristersson.

Rasti gjithsesi, mund të jetë ai referuar refuzimit suedez për të ekstraduar një gazetar, të cilin Ankaraja e ka kërkuar në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit të Stockholm-it në NATO.

“Refuzimi i kërkesës sonë për ekstradimin e Bulent Kenes është një zhvillim shumë negativ”, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, më 20 dhjetor.

Gjykata e Lartë e Suedisë bllokoi të hënën ekstradimin e gazetarit turk në mërgim.

Këto ishin “disa pengesa” për kthimin e ish-kryeredaktorit të së përditshmes “Zaman”, Bulent Kenes, të cilin Turqia e akuzon se është përfshirë në një përpjekje të vitit 2016 për të rrëzuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, tha gjykata.

Kjo, duke përmendur natyrën politike të akuzave dhe statusin e refugjatit të Kenes në Suedi.

“Është thelbësore që Suedia të ekstradojë terroristët e kërkuar nga Turqia, duke përfshirë figurën e lartë të FETO-s, Bulent Keneş”, tha Erdogan në Ankara të martën e 8 nëntorit, pasi takoi për herë të parë kryeministrin e ri të Suedisë.

Keneş është një redaktor turk në mërgim, i cili dikur drejtonte gazetën “Zaman” dhe u burgos për postime në Twitter që konsideroheshin fyese për Erdoganin.

FETO është emri për ndjekësit e Fethullah Gylenit, një lider mysliman me bazë në SHBA, të cilin Erdogan e fajëson për organizimin e një grushti të dështuar në vitin 2016.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar në maj për të mbrojtur veten nga agresioni rus, por ata janë ende duke pritur që Turqia dhe Hungaria të ratifikojnë pranimin.

Turqia i kishte kërkuar më parë Suedisë ekstradimin e 73 të dyshuarve terroristë, kryesisht nga grupet separatiste kurde, si PKK dhe YPG.

Suedia deri më tani ka ekstraduar vetëm një shtetas turk, më 31 gusht, sipas një letre suedeze drejtuar Turqisë, të publikuar në agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore