Lajme

Erdogan: Pashinyan e dinte për operacionin në Nagorno-Karabakh


Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ishte në dijeni të operacionit anti-terrorist të Azerbajxhanit, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në New York, raporton “Reuters”.

Duke folur për situatën në Nagorno-Karabakh, Erdogan u tha gazetarëve në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se pala armene ka injoruar vazhdimisht paralajmërimet.

“Forcat e armatosura të Azerbajxhanit shkatërruan 90 për qind të objektivave në ditën e parë”, tha presidenti turk, raportoi kanali turk TRT.

Një marrëveshje armëpushimi midis forcave të armatosura të Azerbajxhanit dhe trupave armene në rajonin separatist, kryesisht armen të Nagorno-Karabakh u arrit të mërkurën me ndërmjetësimin e një kontigjenti paqeruajtës rus, thanë autoritetet lokale dhe zyrtarët e Azerbajxhanit.

Marrëveshja parashikon tërheqjen e njësive dhe pajisjeve ushtarake armene nga Nagorno-Karabakh, si dhe çarmatimin e forcave lokale të mbrojtjes, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.

Një ditë më parë, Azerbajxhani nisi një operacion ushtarak në Nagorno-Karabakh dhe përdori zjarr të rëndë artilerie mbi pozicionet armene atje. Zyrtarët lokalë thanë se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën në ato sulme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore