Erdogan mbështet plotësisht operacionin e Azerbajxhanit në Karabakh
Vitjon Nina
19.09.2023 19:04Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka dalë nga “linja e dialogut” sa i takon konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke mbështetur plotësisht operacionin ushtarak të Baku-t në Karabakh.
Presidenti turk kështu është bërë lideri i parë brenda aleancës së NATO-s, i cili e mbështet homologun e tij, Ilham Aliyev, në vendimin e marrë.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka dënuar përshkallëzimin ushtarak në Karabak dhe i bëri thirrje Azerbajxhanit të ndalojë aktivitetet e tij aktuale ushtarake.
“Ekziston një nevojë urgjente për t’u kthyer në dialog midis armenëve të Karabakut dhe Bakut. Ky përshkallëzim ushtarak nuk duhet të përdoret si pretekst për të detyruar eksodin e popullsisë vendase”, tha ai.
Po ashtu, Borrell shtoi se BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar në lehtësimin e dialogut midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit bëri me dije mesditën e 19 shtatorit se ka filluar operacionet “anti-terroriste” në rajonin e saj të shkëputur të Nagorno-Karabakh, nën kontrollin armen.
Tensionet kanë qenë të larta prej muajsh rreth enklavës etnike armene, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Njëmbëdhjetë policë dhe civilë të Azerbajxhanit janë raportuar të vrarë në një shpërthim mine dhe një incident tjetër.
Sirenat e sulmit ajror janë raportuar në qytetin kryesor të Karabakh-ut.
Dy fqinjët, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë hyrë në luftë dy herë për Nagorno-Karabakh’un, së pari në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përsëri në vitin 2020.
Që nga dhjetori, Azerbajxhani ka vendosur një bllokadë de facto të rrugës së vetme për në enklavë nga Armenia, e njohur si Korridori i Lachin-it.