Nagorno-Karabakh: Konflikti ende i pazgjidhur
Gerta Zaimi
13.09.2022 13:42Më 31 gusht, nën ndërmjetësimin e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, u zhvillua takimi i katërt trepalësh midis kryeministrit armen Nikol Pashinyan dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Në këtë takim, sipas vetë Michel, është folur për hartimin e një traktati paqeje për të rregulluar marrëdhëniet ndërshtetërore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Brenda muajit ministrat e jashtëm të dy vendeve do të duhej të takoheshin dhe të punonin për çështje humanitare që kanë të bëjnë me fatin e të burgosurve armenë dhe trupave të të rënëve me një total prej gati mijë luftëtarësh dhe civilësh azerë që nuk u kthyen më në shtëpi dhe rreth 1 mijë armenë. Pastaj është çështja e minave, të cilat ende gjenden me shumicë në territoret dhe për të cilat është e nevojshme të bashkëpunohet, me transparencë në hartat e fushave të minuara.
Por, me gjithë këtë deklaratë të Michel, skepticizmi për mundësinë e një traktati paqeje në thelb është i madh. Pengesat dhe nyjat e pazgjidhura janë ende shumë dhe Baku (kryeqyteti i Azerbajxhanit) dhe Jerevani (kryeqyteti i Armenisë) nuk kanë pasur gjithmonë të njëjtin perceptim për rolin e Brukselit në lidhje me Karabakun.
Në fakt luftime kanë ndjekur natën mes 12 dhe 13 shtatorit me palën armene që akuzon azerët për vrasjen e 49 ushtarëve të saj. Agjencitë ruse janë të parat që njoftojnë rinisjen e luftimeve duke konfirmuar humbje jete dhe nga ana e Baku-t, por pa përcaktuar një numër të saktë.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, deklaroi se do të kërkojë menjëherë mbështetjen ruse. Kremlini është ndërmjetësi kryesor në rajon dhe aleat i Armenisë përmes Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska.
Në këtë rast është më se e qartë se aleati i Baku-t, Turqia, nuk do të qëndronte në heshtje. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, tha se Armenia duhet të pushojë provokimet dhe në vend të kësaj të fokusohet në negociatat e paqes dhe bashkëpunimin me Azerbajxhanin.
Nikol Pashinyan në situatën aktuale ndodhet i mundur nga lufta e 2020-ës dhe me një opozitë të brendshme që po përpiqet të përdorë negociatat për Karabakun kundër tij. Baku edhe pse doli fitues nga lufta e fundit nuk është i qetë.
Nikol Pashinyan ka kontaktuar menjëherë edhe presidentin francez, Emmanuel Macron, aleat historik i Armenisë në rajon dhe Sekretarin e Shtetit amerikan Antony Blinken.
Agjencia e lajmeve ruse “Tass” , duke cituar mediat lokale, raportoi menjëherë brenda pak orësh nga fillimi i luftimeve, për arritjen e një armëpushimi.
“Pas masave të reagimit të marra nga forcat e armatosura të Azerbajxhanit, palët ranë dakord për një armëpushim nga ora 09:00 me orën lokale (07:00 me orën tonë)”, thuhet në njoftim.
Konflikti për Nagorno-Karabakh shpërtheu për herë të parë në 1988, kur të dyja palët ishin nën sundimin sovjetik. Joseph Stalin më parë kishte vendosur ta bënte rajonin e Nagorno Karabakh-ut një rajon autonom të Azerbajxhanit sovjetik. Pas shpërbërjes së BS-së në vitin 1989, shpërthyen edhe tensionet etnike midis armenëve dhe azerëve në rajon.
Banorët e rajonit autonom etnik armen të Nagorno-Karabakh-ut, midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, i kërkuan Moskës në atë periudhë ta shkëpusë enklavën nga Republika Socialiste Sovjetike e Azerbajxhanit dhe ta bashkonte atë me Republikën Socialiste Sovjetike Armene.
Nacionalizmi i ndezur nga të dy palët do të çonte në një konflikt të zgjatur e të përgjakshëm, ku kanë gjetur vdekjen rreth 30 mijë njerëz.
Si Baku dhe Jerevani janë të përkushtuar për të kërkuar sovranitet mbi këtë zonë. Deri më sot, askush, madje as Armenia, nuk e njeh Republikën e Artsakh-ut.
Dy shtete fqinje të Armenisë, luajnë ndërkaq rolin e fuqive rajonale, siç janë Turqia dhe Irani.
Në vitin 1994, të dy palët (Armenia dhe Azerbajxhani) nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, duke i lënë palës armene de facto kontrollin e rajonit të Karabakh-ut dhe territoreve përreth që i përkisnin Azerbajxhanit nga Republika e vetëshpallur e Artsakh-ut (e cila quhet kështu që nga 2017 dhe përmbledh shtatë rajone).
Që nga përfundimi i Luftës së Nagorno-Karabakh-ut në 1994-ën, përfaqësuesit e qeverive të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë zhvilluar bisedime paqeje të ndërmjetësuara nga Grupi i Minskut i OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), e krijuar më 24 mars 1992 për të inkurajuar një zgjidhje paqësore për statusin e diskutueshëm të rajonit.
Armëpushimi do ndiqej nga dy dekada stabilitetit relativ, i cili është përkeqësuar së bashku me zhgënjimin e Azerbajxhanit për status quo-në. Armëpushimi u shkel me përshkallëzimin e konfliktit në prill 2016 deri në vitin 2020.
Më 27 shtator 2020, përleshjet rifilluan përgjatë vijës së kontaktit të Nagorno-Karabakh në një luftë të avancuar tashmë teknologjikisht me dronë dhe armë me lazer.
Forcat azere arritën të marrin pjesën më të madhe të territoreve që Azerbajxhani kishte humbur dy dekada më parë. Kështu që armenët mundën të mbajnë në zotërim vetëm një pjesë të Karabakh-ut.
Armëpushimi, siguria e dy grupeve etnike dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre do të garantohej nga trupat paqeruajtës ruse të vendosura në Karabakh.
Rusia, që nga viti 2020, ka përdorur rolin e saj si ndërmjetës në rajon. Kjo i siguron Moskës një levë në Kaukazin e Jugut. Megjithatë, askush në rajon, përfshirë Turqinë, fuqia tjetër e përfshirë si aleate e Bakut, nuk i beson vërtet Rusisë.
Në Kaukaz, ku kalojnë korridore të rëndësishëm të hidrokarbureve, Vladimir Putin pretendon se ka një rol mbizotërues, aq sa ai furnizon me armë si armenët ashtu dhe azerët.
Moska teorikisht ka ndikimin më të madh nga çdo fuqi e jashtme për të çuar përpara paqen. Megjithatë, popullsia e Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë sinjalizuar shqetësimin e tyre me brutalitetin e Rusisë në Ukrainë dhe sipas sondazheve të publikuara janë në mbështetje të popullit ukrainas.
Diplomatikisht, të dyja vendet po përpiqen të mbrojnë një hapësirë gjeopolitike gjithnjë e më të ndërlikuar.
Azerbajxhani u detyrua të distancohej shumë shpejt nga një marrëveshje e re partneriteti dhe “aleance” që nënshkroi me Rusinë pak para luftës. Ajo gjithashtu zgjodhi të mos votojë në të tre rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënojnë veprimet ruse në Ukrainë, duke u munduar të mbante një profil të ulët.
Pavarësisht varësisë së saj ekonomike dhe aleancës së gjatë me Rusinë, Armenia gjithashtu është përpjekur të qëndrojë sa më neutrale: ajo abstenoi nga dy rezoluta të OKB-së që dënonin Rusinë dhe nuk votoi për të tretën.
Edhe pse gjatë një vizite të fundit në Rusi, kryeministri Nikol Pashinyan përsëriti interesin e Jerevanit për të rritur aleancën e tij me Moskën.