Lajme

Erdogan i dërgon letër Osmanit – E falënderon për ndihmën e ofruar gjatë tërmetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër-falënderimi nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për ndihën e ofruar gjatë tërmetit shkatërrues në Turqi.

“Do të doja t’ju falënderoja në emër të kombit tim dhe emrin tim personal që keni ndarë dhimbjen tonë dhe keni dhënë mbështetje në një kohë të shkurtër duke dërguar mesazh ngushëllimi për tërmetet në Kahramanmaraş, të cilët prekën drejtpërdrejt dhjetë provinca me një fuqi shkatërruese që shkaktuan dhimbje të thellë për vendin tonë”, ka shkruar Erdogan në letrën dërguar Osmanit.

Tutje, i pari i Turqisë shtoi se fakt që vendet mike na qëndrojnë pranë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore“ na jep forcën për të duruar”.

Ndërkaq, në letrën e presidentit turk thuhet se ndihma e Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit.

“Ndihma juaj ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit tanë që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit në këto ditë të vështira dimri. Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”, thuhet aty.

Gjithashtu, ai tha se “me këtë rast përsëris urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik e vëllazëror të Kosovës”.

Ndryshe, një tërmet tepër i fuqishëm kishte goditur Turqinë më 6 dhe 7 shkurt.

Ndërsa, pas tërmetit Forca e Sigurisë së Kosovës kishte dërguar një kontigjent ushtarësh për t’i dalur në ndihmë.  Po ashtu, pas dy javësh që kaluan në Turqi, për të ofruar ndihmën e tyre pas tërmetit të tmerrshëm që ndodhi atje ku vdiqën 41 mijë persona, pjesëtarët e Forcave te Sigurisë së Kosovës ishin kthyer në Kosovë, derisa janë nderuar me medalje nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Kemi dalë këtu që të ju dëshirojmë mirëseardhje dhe të ju falënderojmë nga zemra për punën dhe guximin. Andaj, këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes tonë, dëshmi e mirënjohjes tonë për guximin e treguar në republikën e Turqisë, pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte theksuar se “e dimë që së paku katër jetë janë të shpëtuar nga ju, por janë edhe mbi 50 kufoma janë nxjerr nga rrënojat në Hatay”.

“Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partnerë, si aleat dhe si shtet e popull mik i Turqisë, që të ju gjendemi atyre në ndihmë atyre në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush – të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çka mundeni dhe dini që të shpëtoni jetë, ti nxjerrin njerëzit nga rrënojat, fatkeqësisht në shumicën e rasteve ata të vdekur, por njëkohësisht të kujdeseni edhe për ata të cilët kishin nevojë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore