Lajme

Enver Hasani thotë se Albin Kurti “përqeshi dhe talli Amerikën”


Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani

Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, përmes një shkrimi i ka reaguar Kryeministrit të Kosovës për gjuhën, që sipas tij, është “tallëse” ndaj Amerikës, aleatit kryesor të Kosovës.

“Kosova nuk ngeli vetëm pranues i talljes”, ka shkruar Hasani, “por edhe prodhues i saj”.

“Na kujtohen mirë talljet si: ‘Amelika-Amelika’ dhe ‘Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe’”, ka nënvijëzuar profesori i së Drejtës Ndërkombëtare.

Me këto fraza, konsideron Hasani, “synohej neutralizimi i kundërshtarit të brendshëm politik”.

Por, Hasani, thotë se duke synuar neutralizimin e kundërshtarëve politikë përmes frazave të tilla, nuk e ka “vrarë mendjen as edhe një sekondë mbi efektin e dëmshëm që mund të ketë për Kosovën dhe imazhin e saj në botë”.

Ndërkaq tallje, sipas tij, është edhe çështja e referimit të projektit të gaz-sjellësit si “do gypa”.

“Këtyre dy talljeve ua zuri vendin tallja më e re me gypat e gazit, të cilat u bënë metaforë e një përqeshjeje të amerikanëve dhe politikës së tyre të jashtme, në fakt përqeshjeje të gjeostrategjisë globale të Shtetit amerikan, strategjisë së tyre të madhe aktualisht në fuqi”, kujton Hasani.

Të parëndësishme e konsideron Hasani nëse me ose pa vetëdije Kurti e ofendon dinjitetin e shtetit amerikan.

“Ne që ua mësojmë studentëve tanë të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në javën e dhjetë e prezantojmë leksionin mbi dinjitetin shtetëror dhe tregojmë edhe se dinjiteti i shtetit futet në mënynë e lirive dhe të drejtave të shteteve sovrane dhe të pavarura”.

E këtë, sipas Hasani, “e gëzon secili shtet anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm superfuqitë çfare është aleati ynë i pashoq – ShBA”.

“U mor vesh, edhe Kosova e vogël, e pa fuqi në këtë botë, gëzon të drejtën për dinjitet shtetëror me kuptim kërkesën ndaj shteti e individi për të respektuar ashtu siç përcaktohet sipas të drejtës ndërkombëtare”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore