Shqipëria

Enigma e lejes së Belerit për betim në Parlamentin Evropian


Gjatë ditës së sotme të 12 korrikut ka qarkulluar në mediat greke lajmi se Fredi Beleri ka marrë lejen nga autoritetet shqiptare për t’u betuar si deputet i Parlamentit Evropian.

Mirëpo, nga autoritet shqiptare ende nuk ka asnjë vendim të zyrtarizuar në lidhje me këtë supozim.

Albanian Post, për të verifikuar më tej lajmin, ka kontaktuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, nga e cila nuk është konfirmuar as kërkesa për leje nga ana e Belerit dhe as dhënia e lejes.

Bëhet fjalë për një skenar “në qoftë se…”.

“S’kam informacion lidhur me këtë. Po të kishte leje, do të thosha se ka dalë me leje. Nëse ka bërë kërkesë, mblidhet një bord e shqyrtohet. Në këto momente që flasim, nuk ka ndonjë zhvillim. Nesër nuk e di çfarë mund të ndodhë”, thotë burimi i drejtorisë për Albanian Post.

Ai siguron se “deri më tani nuk ka asgjë zyrtare”. Çka lë hapësirë për tu supozuar se nesër mundet të jepet një vendim i dhënies së lejes ose jo.

Për tu rikthyer te raportimet, referuar medias shtetërore greke ERT, Beleri do të fluturojë mëngjesin e së hënës drejt Athinës dhe më pas do të shkojë në Strasburg.

Pak ditë më parë, Athina i kërkoi zyrtarisht leje Tiranës që Beleri të shkojë në Strasburg për të marrë pjesë në seancën hapëse të parlamentit të ri evropian në 16 Korrik.

Beleri u zgjodh eurodeputet nga radhët e Demokracisë së Re në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit.

Sakaq, Gjykata e Lartë këtë të premte të 12 korrikut ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili kërkonte pezullimin e ekzekutimit të vendimit që e dënoi atë me 2 vite burg.

Beleri kërkonte që ekzekutimi i vendimit të pezullohej derisa të shprehej Gjykata e Lartë.

Treshja gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Medi Bici dhe Albana Boksi vendosi mospranimin e kësaj kërkese.

Beleri u dënua në 5 mars të këtij viti me dy vite burg nga GJKKO, vendim i cili u la në fuqi në 25 qershor edhe nga Apeli i Posaçëm.

Më 16 prill ndërkaq, u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Beleri është dënuar me dy vite burgim, pasi premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa Kokaveshi, që ia dorëzoi shumën e parave të infiltruarit, është dënuar me shërbim prove.

Pas ankimimit të të pandehurve, kundër vendimit të gjykatës së posaçme, çështja pritet të shqyrtohet në Apelin e Posaçëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore