Shqipëria

Energjia për qytetarët nuk do të mungojë, thotë Balluku


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar se autoritetet janë në gatishmëri dhe energjia për qytetarët nuk do të mungojë.

Kjo deklaratë erdhi gjatë një takimi me autoritetet energjetike në Komitetin e Energjisë.

“Sot po menaxhojmë një nga krizat më të mëdha. Për asnjë moment nuk kemi lënë mënjanë agjendën tonë me reformat para se kjo krizë të niste”, garantoi fillimisht Balluku.

Sipas zyrtares shqiptare, menaxhimi i kryer nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është i mirë.

Balluku garantoi se qeveria është treguar e kujdesshme me blerjet.

Ajo pohoi se autoritetet i kanë njoftuar qytetarët se kush janë çmimet që “përballemi kur dalim në tregun ndërkombëtar”.

“Qeveria ka marrë përsipër të mbulojë shpenzimet për familjarët dhe biznesin familjar. Pavarësisht kushteve që na ka vendosur moti, ne do të tregojmë gatishmërinë tonë për të mundësuar energjinë”, theksoi ministrja gjatë fjalës së saj.

Për zyrtaren shqiptare, zonat e Jugut janë më të rëndësishme në prag të sezonit turistik.

Referuar kësaj, autoritetet kanë rritur kapacitetet për t’iu përgjigjur asaj zone me energji elektrike.

“Ne po menaxhojmë krizën, po mbrojmë konsumatorët nga rritja e çmimeve dhe për asnjë moment nuk kemi lënë mënjanë axhendën e sektorit energjetik”, shtoi ministrja.

Më herët gjatë një konference për shtyp, Balluku do të zbulonte planin e masave për menaxhimin e situatës me krizën energjetike.

Ministrja njoftoi se importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas.

Ajo sqaroi se në kaskadën e Drinit në këtë moment punojnë vetëm dy agregat, ndërkohë që kërkesa është 17 mijë e 40 MWh.

“Fillimisht, i kemi kërkuar ARRSH-së dhe OSHE-së, që të bëjnë ndërprerje të ndriçimit në akset automobilistike kombëtare”, shpjegoi Balluku.

Gjithashtu do të ketë ndërprerje në akset kombëtare të ndërthura me degëzime.

Në përfundim të fjalës së saj Balluku garantoi se “do e kalojmë këtë krizë ashtu si dhe ato të tjera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore