Shqipëria

Ende në diskutim se si Partia Demokratike do të futet në zgjedhjet e 14 majit


61 kandidatë për të gjitha bashkitë e vendit. Kandidimi vetëm për këshillat bashkiakë. Kandidatë vetëm për disa nga bashkitë.

Janë këto tre propozimet që po diskutohen aktualisht në selinë e re blu në mbledhjen e thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

Është e qartë se Partia Demokratike nuk ka ende një vendim se si duhet të futet në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Për më tepër demokratët e Alibeajt janë nën presionin e kohës, pasi deri të hënën e 27 marsit ata duhet të kenë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie.

Por dilemat brenda grupit vijojnë të jenë të mëdha.

Edhe pse deri më tani janë prezantuar gati 17 kandidatë, në mbledhja disa deputetë, si Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula kërkojnë që PD-ja të mos dalë në zgjedhje me kandidatë.

Ata theksojnë se duhet garuar vetëm për Këshillat Bashkiakë në mënyrë që mos të ndahen votat e votuesve të djathtë (kjo pasi kandidatët e dalë nga primaret e Sali Berishës dhe garojnë në një koalicion vijojnë të cilësohen si kandidatë demokratë).

Nga ana tjetër, vetë Alibeaj ka pranuar se i ka gati emrat për të gjitha bashkitë e vendit.

Ky propozim i tij ka gjetur mbështetje nga disa deputetët demokratë si, Flutur Açka, Arbi Agalliu dhe Kreshnik Çollaku.

Një çështje me interes që është diskutuar në mbledhje mbetet emri për bashkinë e Tiranës që do t’i bashkohet garës kundër kryetarit aktual, Erion Veliaj, dhe Belind Këlliçit.

Emrat kryesorë që po qarkullojnë janë Rudi Erbara, Jonila Godole dhe Roland Bejko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore