Përballje

Emri i kryesuesit në Serie A tani është kuqezi, Leao hero i Milan-it


Gjatë pasditës të së dielës, Milan ka arritur që të rimarrë kreun e tabelës në Serie A.

Kuqezinjtë kanë arritur që të gjejnë tri pikë në ndeshjen e sotme.

Me qiellin gri mbi “San Siro”, skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli ishte pritëse e Sampdoria-s në krizë.

Siç ishte edhe në letër, kjo ndeshje ishte edhe në realitet – lehtë e kontrollueshme për kuqezinjtë.

Edhe pse ndeshja nuk u karakterizua me goleadë, Milan në asnjë moment nuk e vuri fitoren në dyshim.

Në fakt, ata golin e gjetën vetëm pas tetë minutash lojë.

Një pasim i gjatë i Mike Maignan, portierit të Milan-it, e gjeti të lirë Rafael Leao-n.

Ky i fundit, me një driblim shumë të bukur në zonë e vuri veten në pozitë shumë të mirë dhe shënoi për 1-0.

Çuditërisht, deri në fund asgjë nuk ndryshoi, me Milan që ruajti këtë epërsi, që ishte e mjaftueshmë për tri pikët që ia japin kreun skuadrës kuqezi.

Pas 25 javëve të luajtura, ata kanë 55 pikë, një më shumë se Inter dhe dy më shumë se Napoli.

Mirëpo Inter ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar, por gjithsesi lufta për titullin në Serie A tani duket në pikën kulminante të saj.

Sampdoria mbetet në vendin e 16-të me 23 pikë, në luftë të ashpër për mbijetesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore