Shqipëria

Emri i Berishës nuk do të jetë në fletën e votimit, sipas KAS-it


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar të mërkurën e 19 prillit kërkesën e Partisë së Lirisë për të regjistruar Sali Berishën si drejtues të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Në emër të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, si edhe të partive përbërëse të tij, ju informoj për efekt të pasqyrimit korrekt të të dhënave të koalicionit, në fletën e votimit sipas parashikimeve të nenit, 98 të Kodit zgjedhor, se drejtues i koalicionit është deputeti Sali Berisha”, shkruhej në shkresën e dorëzuar nga PL-ja.

Por pas një mbledhjeje që zgjati rreth 20 minuta, KAS nuk e pranoi këtë kërkesë duke i lënë mundësi koalicionit që ta ankimojë brenda pesë ditëve në Kolegjin Zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi më herët për fletët e votimit në mbledhjen e 15 prillit lidhur me kandidatët për kryetarë bashkie apo anëtarë të këshillit bashkiak në Tiranë.

Në krah të çdo partie politike, institucioni ka renditur emrin e kryetarit të asaj force politike, por në rastin e koalicioneve nuk parashikohet një veprim i tillë.

Pra, në anë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe “Aleancës Liberale të Djathtë” nuk gjendet i emërtuar emri i kryetarit.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ngriti shqetësimin se përse fshihet emri i Ilir Metës si drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”.

Sipas tij, në këtë rast po shkelet ligji me këtë format flete, ku drejtuesi i koalicionit nuk përmendet.

“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ”, vërejti Sefa.

Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Kaziaj e argumentoi kërkesën e tyre se nuk ndikon pasi sipas tij votohet programi.

“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet. Nuk duam ne të mburremi me emrat e kryetarëve të partisë. Nuk duam ta bëjmë show politik një fletë votimi por do ta bëjmë fletën ku votuesi të drejtohet nga ligji dhe jo nga emri i kryetarit i partisë”, shtoi Kaziaj.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridjan Salianji deklaroi se nëpërmjet fletës së votimit Partia e Lirisë që kërkon fletë pa emër Kryetari Koalicioni dhe pa logo “nëpërmjet kësaj flete po fshihet mbas gishtit duke çuar votuesit në çadrën e Shtëpisë së Lirisë”.

Në përgjigje të deklaratave të përfaqësuesve politikë, Komisioneri Celibashi, duke argumentuar vendimin e tij, tha se principi kryesor në ligj kur bëhet fjalë për është qartësia e votuesve për të bërë zgjedhjen e tyre. Sipas tij e gjitha kjo varet nga dëshira e koalicionit vetë nëse do apo jo.

“Dhe ajo çka e bën legjitime kërkesën e çdo subjekti zgjedhor në lidhje me fletën e votimit është qartësia e të dhënave të tij ashtu siç duhet të jenë dhe të qarta për votuesit. Dhe e dyta nëse të dhënat e një subjekti tjetër janë të tilla që konfondojnë votuesit në lidhje me subjektin. Nuk ka asnjë urdhërim të vendosjes së emrit të kryetarit të koalicionit”, kujtoi Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore