Lajme

Emiratet Arabe mirëpresin Marrëveshjen: Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të paqes


Lana Zaki Nusseibeh

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mirëpritur pajtimin e arritur për planin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përfaqësuesja e Përhershme e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kombet e Bashkuara, Lana Zaki Nusseibeh, ka theksuar se ujdia për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të paqe dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, siç raporton agjencia e lajmeve emirate, Wam, ambasadorja Nussebieh ka theksuar mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht respektimin e sovranitetit të shteteve, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

“Emiratet e Bashkuara Arabe besojnë në domosdoshmërinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe dialogut për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të rritur besimin në një mënyrë që bashkon këndvështrime të shumta”, ka thënë Nussebieh.

Ambasadorja Nusseibeh ka theksuar gjithashtu se Emiratet e Bashkuara Arabe gëzojnë marrëdhënie të rrënjosura me Serbinë dhe Kosovën dhe mezi pret të forcojë bashkëpunimin për arritjen e interesave të përbashkëta.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore