Shqipëria

Emigracioni, pamundësi apo zgjedhje?


Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë tri dekadave të fundit.

Sipas zyrës së statistikave, ndryshimet në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut të lirë, kanë dhënë efektin e tyre te lindjet, vdekjet, migracioni. Gjithashtu ato kanë ndikuar edhe në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Sociologia Brunilda Zenelaga për Albanian Post (AP), sa i përket emigracionit, kryesisht të të rinjve, e ka lidhur me mundësitë që ofrojnë vendet e tjera për punësim, por edhe arsimim.

“Pjesa më e madhe e personave që largohen”, thotë Zenelaga, “janë të kategorisë moshore rinore”.

Sipas saj, “me liberalizimin e vizave, largimi ka qenë më i lehtë. E dyta lidhet me pritshmëritë e të rinjve për t’u punësuar në Shqipëri. Ata nuk përkojnë me mundësitë që kanë për t’u punësuar, për shembull të rinjtë që diplomohen”.

INSTAT, në publikimet e nxjerra më 1 janar 2019, tregon se popullsia e Shqipërisë ishte 2,86 milionë banorë.

Në qoftë se bëjmë një krahasim me vitin 2011, rezulton një rënie me 1.5 për qind.

Sipas INSTAT-it, ky mund të jetë problem, pasi mund të ndikojë në rritjen ekonomike. Kjo varet nga niveli i konsumit apo investimet.

“Nëse popullsia zvogëlohet, atëherë do të ketë më pak kërkesa për konsum dhe investime që mund të reflektohen si një rënie ekonomike”.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Altin Hoti, është shprehur për Albanian Post se, përpos kësaj, qëndron një qasje tjetër që ndikon, por që nuk lidhet me investimet drejtpërdrejt.

Sipas Hotit, ndodh që “sa më pak njerëz të ketë në vend për të njëjtin nivel të ardhurash, ka rritje të të ardhurave për frymë, çka do të thotë, nëse ke më shumë para, edhe prirja margjinale për konsum rritet”.

Emigracioni nuk është një problem që ka lindur së fundmi në Shqipëri.

Gjatë viteve 2011-2018 vlerësohet se mesatarisht 45 mijë persona emigruan çdo vit, ndërsa 27 mijë të tjerë imigruan.

Arsyet kryesore, sipas INSTAT-it për emigracionin, kanë qenë mundësi më të mira për punësim, arsim dhe kujdes shëndetësor.

Çfarë i shtyn shqiptarët të largohen?

Bazuar në sondazhin e kryer nga Fondacioni “Friederich Ebert” (2018-2019), 40 për qind e të pyeturve kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria përgjithmonë, ndërsa 20 për qind kanë një dëshirë të moderuar për të emigruar.

Sipas tyre, arsyet kryesore janë kërkesa për standard më të mirë jetese dhe për një punësim më të kënaqshëm, ndërkohë që arsimi mbetet dytësor si motiv për t’u larguar.

Sociologia thekson se nuk janë të pakta rastet e të rinjve, të cilët shkojnë jashtë Shqipërisë për t’u arsimuar dhe, më pas, ata punësohen në atë shtet.

“Nga ana tjetër, kategoritë e individëve që nuk shkojnë për studim, por posaçërisht për punësim, ku përmendim mjekët apo infermierët”.

Fondacioni tregon se, destinacioni më i dëshirueshëm për të gjithë ata që duan të ikin është Gjermania, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca.

Sipas Zenelaga-s, “zgjedhja për t’u larguar nga Shqipëria lidhet me politikat tërheqëse, që kanë këto vende, kryesisht Gjermania dhe vendet nordike. Ato kërkojnë staf të përgatitur nga vende të tjera. Ky largim nuk është trend vetëm në Shqipëri, por edhe për disa shtetet e rajonit”.

Emigracioni, si fenomen i krijuar nga rrethana të ndryshme, ka lënë gjurmë si në vendin pritës, edhe në atë të origjinës.

Në rastin e Shqipërisë, siç thotë dhe sociologia, pasojat janë të disa kategorive.

“Pasojat që sjell emigracioni, duke u larguar pjesa më vitale e shoqërisë që është rinia, humbet energjia e vendit, kategoria e aftë për punë, për të sjellë ndryshim, parë dhe në planin e skemës së kontributeve”.

Sipas saj, nëse të rinjtë largohen, kontributet shëndetësore dhe sidomos ato që lidhen me skemën e pensioneve bien në masë të konsiderueshme.

“Largimi i të rinjve të kualifikuar shkakton kriza në institucionet ku punojnë, sidomos në raste kur vendi është në gjendje emergjente, marrë shkas nga fenomeni i fundit, siç është pandemia”.

Zenelaga thotë gjithashtu se “ikja e trurit të shoqërisë, lidhet me ikjen e intelektualëve”.

Ajo vë theksin te pasojat e shumëfishta që has një vend kur përballet me këtë fenomen.

“Pasojat e shumëfishta, ku vendi humbet këtë kategori, ndërkohë që punojnë në vende të tjera, kontributi shkon për këto vende, duke lënë mangët Shqipërinë”, përmbyll Zenelaga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore