Kosova

Emërohet Bordi i ri i OSHP-së


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte të 23 qershorit, ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

61 deputetë kanë votuar pro zgjedhjes së bordit të OSHP-së, derisa partitë opozita më herët e lëshuan sallën pas indinjatës së tyre kundër mos-votimit të Projektligjit për Trustin.

Kryetare e bordit u zgjodh Vjosa Gradinaj-Menxhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.

“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, tha ai.

OSHP-ja ishte pa bord, pothuajse një vit. E ndërsa miliona euro ishin të bllokuar në institucionet e ndërmarrjeve publike si pasojë e kësaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore