Kosova

Elshani: Pas përfundimit të afatit për konvertim të patentë shoferëve, Polica do marrë masa


Veton Elshani

Pas përfundimit të afatit për konvertimin e patentë shoferëve, nga ata ilegalë në ata legalë RKS, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka theksuar se ndaj të gjithë atyre që posedojnë ende patente shoferë ilegalë policia do të marrë masa, duke shqiptuar masa.

Elshani ka bërë të ditur se deri më tani, për konvertimin e patentë shoferëve kanë aplikuar mbi 5 mijë e 900 persona.

“Interesimi i njerëzve është i mirë. Konsiderojmë që edhe këto 10 ditë do të përfundojë ky proces”, ka thënë ai për televizionin publik.

Derisa bëri me dije se i gjithë procesi është duke shkuar pa asnjë problem, zëvendësdrejtori i policisë për Veriun, tregoi edhe arsyet se pse është shtyrë afati edhe për 10 ditë.

“Është shtyrë për dy javë çështja e patentë-shoferëve për arsye edhe të interesimit të njerëzve, por edhe për shkak të disa problemeve teknike që ne i kemi hasur gjatë konvertimit apo gjatë aplikimit të këtyre patentë-shoferëve”, shtoi.

Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), që të zgjatet afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet ilegale të Serbisë në Kosovë, në patentë shoferë legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës, iu ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë deri më datë 23 gusht.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për aplikim. I drejtoj ftesën time të gjithë atyre që nuk kanë aplikuar që të përfitojnë nga kjo mundësi deri më 23 gusht”, ka shkruar Kurti në X.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se shtyrja e këtij procesi për dy javë ka ardhur nga “interesi i lartë”.

“Në tre muaj kemi pranuar gjithsej 5.588 kërkesa nga bashkëqytetarët tanë serbë për ta shndërruar patentë shoferin nga ato të lëshuara nga strukturat ilegale dhe paralele nga Serbia në ato legjitime dhe zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka treguar kryeministri.

Vendimi për konvertimin e patentë shoferëve ka hyrë në fuqi më 10 maj.

Pas skadimit të këtij afati, nga MPB kanë paralajmëruar se nuk do të jetë e mundur vozitja në Kosovë me patentë shoferë ilegalë serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore