Kosova

Elshani: Donim ta lironin vendin prej grupeve kriminale, s’kishim qëllim të vrisnim njerëz


Veton Elshani

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se qëllimi i policisë në aksionin e së dielës, pas sulmit terrorist ndaj organeve të rendit, ka qenë që të lirohet fshati Banjskë nga grupet e organizuara kriminale, dhe aspak që të vrasin njerëz.

Këto komente ai i bëri në një prononcim para gazetarëve në Basnjskë të Zveçanit, aty ku ndodhi sulmi terrorist.

“Nuk kemi pasur qëllim me i vra 30 vetë, në asnjë moment, nuk kemi pasur qëllim me vra asnjë. Qëllim jonë është me marrë territorin tonë, të vendit tonë, me e liru këtë vend prej grupeve të organizuara kriminale”, tha Stano.

Nëse ka pasur viktima e të lënduar, pohoi ai, “kanë qenë pjesë e procesit”, duke vlerësuar se “nuk ka pasur dëme kolaterale”.

Tutje, ai ka deklaruar se hetimet për sulmin terrorist ndaj policisë më 24 shtator, nuk do të përfundojnë edhe për një kohë të gjatë, teksa ka shtuar se bastisjet nëpër zonën e banimit kanë përfunduar.

“Hetimet nuk kanë me përfunduar edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant pse me u zgjedh ky vend në këtë formë dhe çka ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur”, tha Elshani.

“Është një fshat i qetë, i mirë, njerëzit janë të qetë. Bastisjet, kontrolli, në zonën e banimit ka përfunduar, kemi bërë një kontroll goxha të mirë edhe rreth malit”.

Ai theksoi se për situatën kanë komunikim “shumë të mirë” me misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, derisa pohoi se “kemi marrë mësim shumë nga kjo” ngjarje.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Veriut, potencoi se në të gjithë këtë ngjarje “banorët (e Banjskës) kanë qenë shumë të mirë”, por edhe bashkëpunues.

Ndërkaq, Elshani theksoi se ka ekzistuar një sasi e madh i armatimit në atë zonë.

“Armatim ka pasur gjithkah, jo në shtëpitë private, por jashtë. Nuk po dua të lëshohem në deklarata. Kemi hyrë nëpër shtëpi, më së shumti gjuajtje ka pasur rreth shtëpive, ka pasur gjithkah”.

Ndryshe, të mërkurën është liruar për qarkullim rruga që të dërgon në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Policia e Kosovës ka lejuar lëvizjen e veturave në drejtim të fshatit Banjskë, meqë deri më tani kjo e fundit nuk lejonte lëvizjen e veturave të tjera, pos banorëve të fshatit.

Ndërsa, të martën në mbrëmje përfundoi aksioni i Policisë së Kosovës për kontrollimin dhe bastisjen e lokaliteteve në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku u vra një rreshter dhe dy të tjerë u plagosën.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, derisa shtonte se njësitet policore do të vazhdojnë të jenë prezente atje dhe për procedurat e tjera do të vendoset nesër (e mërkurë) pas orës 9.

“Ka përfunduar aksioni i bastisjes dhe kontrollimit. Nesër pas orës 9 do të vendoset se si të procedohet tutje, por ende mbesin njësitet policore atje”, njoftoi Elshani. Gjatë bastisjes, një arsenal armësh, pajisje tjera ushtarake dhe automjete janë konfiskuar nga njësitet policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore