Bota

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë


Elon Musk ka tejkaluar Jef Bezos-in, duke u bërë njeriu më i pasur në botë, me një shumë të vlerësuar në 194.8 miliardë dollarë. Bezos, mbante vendin e parë që prej 2017-ës, por tashmë, “kemi një sherif të ri në qytet”.

Tesla, kompania e Musk, u rrit me 7.9% ne treg. Kjo bëri që Musk të kalonte Bezos-in në renditje. Lajmin e ka bërë të ditur Indeksi i Miliarderëve Bloomberg.

Rritja e menjëhershme lidhet drejtpërdrejt me fitoren e Senatit nga demokratët. Pritet që gjatë mandatit të Biden-it, të kalojnë një sërë ligjesh për mbrojtjen e mjedisit. Ndër to, edhe e famshmja “Green New Deal”. Për shkak të saj, parashikohet të rriten shitjet e makinave elektrike.

Pasuria e Musk gjatë vitit të fundit është tetëfishuar. Në nëntor 2019, pasuria e tij përllogaritej në 24 miliardë dollarë.

Rritja e Tesla-s në treg, ka çuar në qiell pasurinë e Musk-ut. Gjatë vitit të pandemisë, Musk rriti pasurinë e tij me rreth 160 miliardë dollarë.

Pas daljes së lajmit, ai ka shkruar në Twitter se “është koha të kthehemi në punë”.

Miliarderi amerikan ka deklaruar më parë se pasuria e tij do të vihet e gjitha në dispozicion të njerëzimit.

“Gjysma e pasurisë time do të shërbejë për të përmirësuar jetën në Tokë. Gjysma tjetër, për të vendosur civilizimin e parë në Mars”.

Përveç Tesla-s, Musk zotëron dhe kompaninë SpaceX. Kjo e fundit, arriti suksesin e saj më të madh në 2020-ën, kur transportoi dy astronautë drejt stacionit ndërkombëtar hapsinor.

Nëse rritja e Musk vazhdon me këto ritme, ai mund të kthehet në trilionerin e parë në botë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore