Zgjedhjet në Shqipëri

Elbasani – mes të shkuarës dhe të ardhmes


Qarku i Elbasanit, si çdo qark tjetër në Shqipëri, ka edhe problematika, edhe arritje. Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) thonë që ky qark ka më shumë probleme sesa arritje.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë Socialiste (PS), e cila ka edhe pushtetin vendor edhe atë lokal, argumentojnë se më shumë punë janë bërë këto 8 vite qeverisjeje sesa që nga rënia e sistemit diktatorial në 1990-ën.

Mes një infrastrukture të dëmtuar dhe një bujqësie pa mbështetje, ky qark ka hasur sfida që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Problematika kryesore e Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit ishin mbetjet, të cilat nuk kishin ku t’i hidhnin. Me ndihmën e qeverisë dhe punën e pushtetit lokal, ky problem tashmë ka gjetur zgjidhje me ndërtimet e inceneratorëve dhe landfilleve të ndryshëm.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, përtej problematikave, thotë se Elbasani ia ka dalë që të marrë nga qeveria 15 miliardë lekë fonde për zhvillim.

Opozita, nga ana tjetër, numëron vetëm probleme, duke mos u pajtuar të ketë pasur përparim.

Përveç papunësisë dhe ekonomisë së dobët, bën me dije kandidati i PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi, problem tjetër i madh thonë të jetë edhe infrastruktura rrugore. Këtij mendimi i bashkohen edhe qytetarët.

Këto probleme janë në fokus të analizës së organizatave joqeveritare, që po ashtu përmendin papunësinë tek të rinjtë, si problem.

Bashkia e Cërrikut është i dyti qytet me numrin më të lartë të popullsisë në Qarkun e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Andis Salla, bën me dije se Cërriku për një kohë të gjatë është përballur me sfidën e ujërave të zeza dhe mungesën e energjisë elektrike, të cilat në masë të konsiderueshme kanë gjetur zgjidhje.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Librazhd, Bujar Vreto, thekson se, përveç që investimi ka qenë i pjesshëm, është shoqëruar edhe me korrupsion.

Zgjedhjet në prag

Gjatë 30 vjetëve në demokraci, Elbasani është përballur me ndryshime të forcave politike të vendit.

Më 25 prill, do t’i matin sërish forcat. Prandaj ka dy muaj që kanë nisur t’i prezantojnë programet.

Në fokus të sajin, Partia Demokratike ka kthimin e emigrantëve, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim premton më shumë vende pune.

Për Partinë Socialiste, me rëndësi është që, përveç punëve të tjera, të vazhdohet përparimi i deritanishëm në sistemin arsimor.

Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë test për punën e qeverisjes lokale dhe besimin në atë qendrore.

Nga 336 mijë votues të regjistruar, në këtë qark votojnë mesatarisht 166 mijë qytetarë.

Situata covidiane

Prej një viti, Shqipëria po përballet me pandeminë globale, Covid-19. Prandaj, përtej masave kufizuese, banorët e Elbasanit kërkojnë rregull dhe liri veprimi.

Rinia, papunësia dhe infrastruktura vazhdojnë të mbeten probleme kryesore në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore