Vende

El País: Vendmbërritja e re e turistëve, Shqipëria


Turizmi ka përjetuar një rritje shumë të shpejtë në muajt e fundit në Shqipëri.

Në maj, numri i netëve të kaluara nga vizitorët e huaj ka qenë 2.5 herë më shumë se i njëjti muaj në vitin 2019.

Por kjo shifër nuk është befasi.

Shqipëria i ka tejkaluar shumë shifrat para pandemisë që nga vjeshta e vitit 2021, ndërkohë që destinacionet kryesore turistike si Franca dhe Italia nuk kanë arritur ende të rikthejnë nivelet e mëparshme.

Kjo sepse këtu ofrohen çmime të përballueshme, ujëra të pastër kristal dhe ekzotizëm pa pasur nevojë të largohesh nga Evropa.

Këto janë themelet e fushatës së marketingut digjital që ka tërhequr mijëra njerëz këtë verë në një vend me një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, të cilit i është dashur të rekrutojë më shumë punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Pakistani, për të përmbusur rritjen e kërkesës. .

“Nga pesë hotele ku kemi qëndruar, katër u hapën vitin e kaluar dhe një këtë vit”, ka treguar Marcos Fernández, nga Madridi, Spanjë, i cili ka vizituar Shqipërinë në gusht.

“I gjithë vendi është në ndërtim e sipër”, ka shtuar ai.

Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 45 për qind nga viti në vit në numrin e lejeve të ndërtimit në vitin 2021, duke reflektuar një tendencë rritëse që, sipas të dhënave të qeverisë, u mbajt në vitin 2022 nga sektori i hotelerisë, i cili regjistroi një rritje prej 55 për qind në biznes.

Në krye të rritjes së turizmit dhe punimeve ndërtimore që pasuan tërmetin e vitit 2019, bumi i ndërtimeve është edhe për shkak të remitancave të dërguara nga diaspora e konsiderueshme prej 1.2 milionë shqiptarësh jashtë vendit.

Kjo e fundit përbën më shumë se 9 për qind të PBB-së së vendit, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore.

Përveç dërgesave të ligjshme, fondet që rrjedhin nga aktivitetet kriminale derdhen në ndërtim, sipas Islam Jusufi, profesor i shkencave politike.

“Një pjesë e konsiderueshme e rrokaqiejve që po ndërtohen në Tiranë dhe qytete të tjera po blihen nga njerëz të ardhurat e të cilëve vijnë nga krimi i organizuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, kriminelët kanë zgjeruar biznesin origjinal të eksportimit ilegal të kanabisit dhe kanë filluar të drejtojnë rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës që përfshijnë vendet e Amerikës Latine.

Megjithatë, shifrat e krimit të organizuar duket se kanë filluar të zbehen për sa i përket rëndësisë së tyre për ekonominë kombëtare.

Sipas Jusufit, kjo është pjesërisht rezultat i reformave gjyqësore të kërkuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që hoqën një numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve, paanshmëria e të cilëve ishte e vështirë të konstatohej.

Po ashtu ai ka shtuar se ka edhe një ndërgjegjësim të ri mes anëtarëve të Partisë Socialiste në pushtet.

“Tashmë ka shenja progresi, si burgosja e një ish-ministri të Brendshëm, i cili kishte qenë i lidhur me një nga këto grupe kriminale”.

Kurse Isilda Mara, e pyetur për efektet që mund të ketë një fushatë kundër krimit në sektorin e pasurive të paluajtshme, nuk beson se “buron ndonjë përfitim ekonomik nga krimi i organizuar”,

“Efektet negative që krimi i organizuar gjeneron në ekonomi, në tregun e lirë, në konkurrencë, në korrupsion dhe në mosfunksionimin e sistemit gjyqësor dhe ligjit dhe rendit janë shumë domethënëse”, ka thënë ajo.

Në Shqipëri, bujqësia ka përfaqësuar tradicionalisht burimin kryesor të punësimit, por tashmë është kthyer edhe në një gjenerues të këmbimit valutor.

Megjithëse mikrobujqësia familjare mbizotëron ende në një vend që ishte i vetë-mjaftueshëm në vitet 1980, produktiviteti është rritur me të njëjtin ritëm si eksportet, me rritje në vitin 2022 prej 15.6 për qind për shitjet e huaja të pjeprit, shalqinjve, domateve, trangujve dhe agrumeve.

“Të dhënat e eksportit bujqësor kishin filluar të rriteshin para pandemisë, në vitin 2017 dhe 2018; më pas u rikuperua në vitin 2022 dhe ka ecur veçanërisht mirë në vitin 2023”, ka treguar Meleq Hoxhaj, studiues i pavarur dhe bashkautor i një punimi kërkimor mbi lidhjen midis globalizimit dhe papunësisë në Shqipëri.

Sipas tij, humbjet e vendeve të punës që mund të kishin ardhur nga mekanizimi i shpejtë i fshatit shqiptar janë kompensuar nga rritja e eksporteve.

“Shqipëria ishte në fund të Evropës dhe Azisë Qendrore për sa i përket niveleve të varfërisë dhe në 30 vjet ka arritur një nivel të lartë të mesëm të të ardhurave me pothuajse të gjithë treguesit që lëvizin në drejtimin e duhur”, ka sqaruar Emanuel Salinas, përfaqësues i Bankës Botërore në Tiranë.

“Varfëria ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe GDP-ja është rritur me shpejtësi”, ka vijuar ai.

Midis viteve 2010 dhe 2019, GDP-ja për frymë u rrit me një normë mesatare vjetore prej 2.9 për qind, sipas Bankës Botërore.

Në vetëm shtatë vjet, varfëria është zhvendosur nga 41.5 për qind e popullsisë në 23.9 për qind.

Por eliminimi i kësaj shifre nuk është sfida e vetme e jashtëzakonshme e vendit.

Tani Shqipëria përballet me një problem që vende si Argjentina apo Venezuela vetëm mund ta ëndërronin: presionin rritës mbi monedhën vendase të krijuar nga fluksi masiv i valutës së huaj nëpërmjet investimeve të huaja, remitancave, turizmit dhe eksporteve bujqësore.

Nga 135 lekë që duheshin për të blerë një euro një dekadë më parë, vitet e fundit ajo ka kaluar në kufirin 120 lekë për euro.

Kjo barrierë u thye sërish në korrik 2023, kur monedha shqiptare u mbiçmua në 101 lekë për euro.

“Për të zbutur këtë presion, Banka e Shqipërisë ka tërhequr euron nga tregu, por kjo nuk ka mjaftuar. Ndonëse mbiçmimi i fortë i lekut është përmbysur pak, sërish është një barrë e madhe për kompanitë eksportuese, të cilat si nxitje kanë marrë disa rimbursime taksash nga qeveria”, ka shpjeguar Hoxhaj.

Qeveria shqiptare është e vetëdijshme se stimujt tatimorë dhe ndërhyrjet në valutë shërbejnë vetëm si një masë ndaluese dhe ajo ka vendosur të zhvillojë shërbimet digjitale të eksportit dhe të përmirësojë inovacionin dhe konkurrencën në sektorët e bujqësisë dhe turizmit.

Megjithëse strategjia mund të mos japë rezultate të menjëhershme, një gjë është e qartë: një monedhë e rivlerësuar mund të jetë një sfidë.

Marrë nga “El País”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore