Përballje

“El-Clasico” rikthehet për trofeun e Superkupës


“El Clasico” numër 281 do të zhvillohet këtë të mërkurë, ku mes Barcelonës dhe Real Madrid-it do të diskutohet Superkupa e Spanjës.

Dy gjigandët e futbollit spanjoll vijnë në këtë takim me pozita krejt të ndryshme, ku Reali-i kryeson bindshëm në La Liga me 17 pikë më shumë se Barça, çka tregon diferencat e mëdha që janë treguar në cilësitë e dy ekipeve gjatë këtij sezoni.

Sikur mos të mjaftonte forma e dobët në La Liga, Barcelona nuk kaloi as fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, gjë që nuk i kishte ndodhur thuajse që dy dekada.

Ndeshjen e parë të këtij sezoni në La Liga e fitoi Real Madrid-i në udhëtim me shifrat 1:2, derisa ata shihen favoritë edhe në këtë takim.

Sa i përket të gjitha përballjeve mes tyre, Barcelona prinë me 115 fitore, 103 ka Real Madrid, ndërsa 62 takime kanë përfunduar në barazim.

Për këtë duel të vështirë, Barcelona do të jetë pa Sergi Roberto-n dhe Eric Garcia-n të cilët janë të lënduar, derisa në dyshime janë Pedri, Ferran Torres dhe Martin Braithwaite.

Ndërsa madrilenët do të jenë më të kompletuar, ku vetëm Gerath Bale nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Anchelotti.

Skuadrës katalunase do t’i rikthehet Ansu Fati për këtë takim, mirëpo nuk pritet që ai të luajë nga minuta e parë, pasi ka qenë për një muaj jashtë fushe.

Ndeshja Barcelona – Real Madrid do të zhvillohet në ora 20:00 (me kohën tonë lokale) në “King Fahd International Stadium” të kryeqytetit të Arabisë Saudite, Riad.

Formacionet e mundshme:

Barcelona(4-3-3): Ter Stegen, Alba, Araujo, Pique, Alves, Busquets, De Jong, Gonzalez, Dembele, Depay, Luuk de Jong.

Real Madrid(4-3-3): Courtois, Carvajal, Alaba, Militao, Mendy, Casemiro, Kroos, Modric, Asensio, Vinicius, Benzema.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore